“Kjo është e rrezikshme”- Kritika të ashpra në drejtim të LDK-së, PDK-së AAK-së e Nisma-s: Po e mbajnë peng shtetin për…
Skena politike në Kosovë po vazhdon të jetë e ndarë në dysh mes Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe partive të tjera parlamentare që u renditën pas saj në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të këtij viti. Saga e konsolidimit të institucioneve po vazhdon edhe këtyre ditëve, derisa çështja ka ngecur tek votimi i mandatarit të dytë të propozuar nga LVV për kryeministër z. Glauk Konjufca.
Derisa afatet kushtetuese po ecin, Konjufca nuk ka dhënë ndonjë shenjë se i ka votat e nevojshme për t’u bërë kryeministër, përcjell “Bota sot”.
Në prag të skadimit të afatit kushtetues për formimin e qeverisë së re, analisti politik Mirsad Voca e sheh krizën aktuale politike në Kosovë jo si përplasje për emra apo poste, por si simptomë të mungesës së kulturës politike dhe thellimit të polarizimit ndërmjet partive.
ImageMirsad VocaFoto galeri
“Kriza nuk është për emra, por për mungesë kulture politike…
Kur kanë mbetur edhe pak ditë afat kushtetues për formimin e qeverisë së re, është e qartë se problemi nuk qëndron tek emri i z. Konjufca, por tek kultura e polarizimit qe ka kapluar skenën politike në Kosovë. Kjo nuk është betejë për vizionin e vendit, por për kontrollin mbi proceset e pushtetit. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi thelbësor”, u shpreh Voca për gazetën “Bota sot”.
Sipas Vocës, bllokada institucionale që po e mban vendin në pasiguri nuk është betejë për vizionin e shtetit, por për kontrollin mbi pushtetin, ndërsa partitë opozitare – përmes kalkulimeve politike – po e vendosin interesin partiak mbi atë publik.
“Në vend që te kërkohet zgjidhja, partitë opozitare po vazhdojnë t’i mbajnë institucionet në bllokadë. LDK, PDK, AAK e Nisma, me qëndrimet e tyre kundërshtuese, po e vendosin kalkulimin politik mbi interesin publik. Kjo është e rrezikshme, sepse buxheti, pagat, dhe stabiliteti institucional nuk janë kartë negociatash, por themeli i shtetit”, është shprehur ai.
Voca paralajmëron se dështimi për të arritur marrëveshje mund ta fusë Kosovën në një spirale zgjedhjesh të pafundme, duke rrezikuar stabilitetin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të vendit
“Nëse ky proces dështon, Kosova rrezikon të hyjë në një spirale zgjedhjesh dhe pasigurie, që do ta kushtëzonte edhe besueshmërinë ndërkombëtare të saj. Tre zgjedhje brenda një viti do të ishin një absurditet demokratik dhe një luks që shteti nuk mund ta përballojë”, shton Voca për “Bota sot”.
Ai thekson se ky polarizim i skajshëm nuk buron nga dallimet ideologjike, por nga mendësia e vjetër e politikës si përjashtim, jo si bashkëpunim.
“Është e habitshme që në vend të garës për ide, po zhvillohet një garë për sabotim. Kjo dëshmon se demokracia kosovare është ende në fazën e pjekurisë së munguar, ku egot peshojnë më shumë se përgjegjësia.
Në fund, pyetja nuk është nëse Konjufca do t’i sigurojë votat, por nëse klasa politike e Kosovës do të arrijë të kapërcejë kufijtë e vetvetes. Sepse një komb nuk matet me numrin e partive që ka, por me aftësinë e tyre për të ndërtuar shtet mbi parime, jo mbi inate”, ka përfunduar ai.
