“Turp!”/ Murati i përgjigjet PDK-së pas akuzave për manipulim zgjedhor – ia përmend “vjedhjet e së kaluarës”!
Ministri i Financave dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me procesin zgjedhor në Mitrovicë dhe akuzat për manipulim të votave.
Në reagimin e tij, Murati thekson se Kosova tashmë njihet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, një merita kjo që sipas tij i takon Lëvizjes Vetëvendosje, përcjell “Bota sot”.
Murati kujton se para se VV të hynte në garë zgjedhore, procesi në Kosovë nuk ishte gjithmonë i pastër, duke përmendur raste të vjedhjeve të mëdha të votave dhe shifra të dyshimta të pjesëmarrjes në vendvotime, veçanërisht në bastionet e PDK-së. Ai e cilëson akuzën e sotme të PDK-së për manipulim zgjedhor si një “rrëfim për mëkatin e tyre”, duke e krahasuar me rrëfimin e një mëkatari për veprimet e tij.
Postimi i plotë
Tash e sa vite Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë merr edhe lëvdata nga ndërkombëtarët.
Një meritë e madhe për këtë i shkon pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje! me komisionerët dhe vëzhguesit e saj, të cilët ndër vite kanë mbrojtur votën dhe integritetin e zgjedhjeve qoftë edhe me trupat e tyre.
Këtë meritë tashmë na e kanë pranuar publikisht edhe kundërshtarët tanë politikë.
Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së.
Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë.
Partia që do të hyjë në histori se i nxorri simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin.
Turp!
