Alarmi i Kadri Kryeziut: Zgjedhjet e dhjetorit mund ta fusin vendin në paralizë totale
Kadri Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së partive politike në prag të zgjedhjeve të mundshme të dhjetorit, duke paralajmëruar pasoja serioze për vendin nëse buxheti i vitit 2026 nuk miratohet me kohë, përcjell “Bota sot”.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shprehur shqetësimin se vonesat në certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve të reja mund ta çojnë Kosovën drejt një “kolapsi dhe paralize institucionale”, ndërsa ka kritikuar partitë që, sipas tij, “sillen sikur janë OJQ, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie publike”.
Postimi i plotë
Nëse në Dhjetor shkohet në zgjedhje, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë në fund të janarit apo fillimi i shkurtit 2026. Kur do të konstituohet Kuvendi i ti, kur do të zgjidhet Qeveria e re? A mund të bëhen të gjitha këto para 1 Mars 2026, në mënyrë që të aprovohet buxheti 2026 brenda afateve të fundit ligjore? Me këto parti politike nuk e besoj.
Nëse buxheti 2026 nuk aprovohet tani, me 1 Mars 2026 Kosova kalon në kolaps dhe paralizë institucionale.
Habitem, sinqerisht habitem si disa parti politike sillen thuajse janë OJQ, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie publike. Mbajnë ligjërata e nuk japin zgjidhje.
Fatkeqësi dhe mjerim.
