Paralajmëron Rashiti: Njëra nga palët mund t’i thotë “JO” propozimit evropian
Paralajmëron Rashiti: Njëra nga palët mund t’i thotë “JO” propozimit evropian
Në takimin e paralajmëruar për 27 shkurt në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet t’i jepet formë procesit që do të çojë te marrëveshja mbi bazën e propozimit të Bashkimit Evropian.
Kështu thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë.
Ai e sheh si problem, siç e quan, hezitimin e faktorit ndërkombëtar dhe mosbesimin se palët po shkojnë drejt marrëveshjes, që ai thotë se është afër, por “u mbetet ndërkombëtarëve që t’i sinkronizojë veprimet me palët”.
“Për mua, ky mbetet shqetësimi më i madh, sepse faktori ndërkombëtar ende po e mban distancën [duke thënë] ja plani, pranojeni, vazhdoni, konsultohuni, finalizojeni”, thotë Rashiti.
Ai e sheh si mjaft të rëndësishme përmbajtjen e propozimit evropian, që, sipas tij, “e definon qartë karakterin e një marrëveshjeje ndërkombëtare, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe kartën e OKB-së”.
Rashiti thotë se BE-ja nuk duhet ta cilësojë marrëveshjen eventuale si “të ndërmjetme”, por thjesht si marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ai nuk beson që kryeministri Kurti, do të nisë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa nënshkrimin marrëveshjes mbi bazën e propozimit të BE-së.
Rashiti gjithashtu nuk e përjashton mundësinë që ndonjëra nga palët t’i thotë “jo” propozimit evropian.
“Kjo edhe mund të ndodhë. Ky edhe është problemi më i madh gjatë këtij procesi, sepse faktori ndërkombëtar, me gjasë, nuk është tërësisht krejtësisht i bindur që të dy palët, Kosova dhe Serbia, do të shkojnë drejt marrëveshjes. Besoj që po të kishin qenë të bindur, do të kishte pasur hapa më të shpejtë. Por, në anën tjetër, nuk do të ketë “po” më të madhe nga Prishtina dhe Beogradi sesa kaq. I mbetet faktorit ndërkombëtar që të sinkronizojë veprimet me palët. Kështu që, secila prej të tri palëve, po e presin njëra-tjetrën. Faktori ndërkombëtar po pret më shumë mbështetje të palëve për marrëveshjen dhe procesin, më shumë angazhim. Ndërkaq, palët po presin më shumë angazhim të faktorit ndërkombëtar. Ndoshta këto pritje, në takimet e javëve të ardhshme, fillojnë të zbuten, në mënyrë që të ketë një kohezion më të madh të veprimeve të të gjitha palëve”, thotë ai.