TË FUNDIT

Lufta hibride e modelit serbo-rus që e përcjellin shqipfolësit

Ra ky mort dhe u pamë”! Është kjo metafora që shqiptarët kanë përdorur historikisht për të dëshmuar se në kohë të vështira njihen njerëzit. Ranë zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë dhe qytetarët e këtij vendi panë se si u mobilizua makineria e luftës hibride brenda nesh kundër lirisë, demokracisë, shtetësisë, pra kundër Kosovës. Në emër të luftës kundër Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Pak minuta pas mbylljes së procesit të votimit, dmth pak mbas orës 19.00 të datës 12 tetor, mediet e Batonit, Beratit dhe Lirimit, por edhe dy mediat që i drejtojnë Ben Blushi dhe Ermal Panduri, publikuan menjëherë exit-pollet, pra rezultatet paraprake që Kosova do të kishte në ato zgjedhje.

E theksoj se bëhet fjalë për exit-polle dhe jo për sondazhe të para disa ditëve. Megjithatë këto exit polle lajmëruan se kandidati i Partisë Demokratike për Mitrovicën i kishte fituar zgjedhjet me mbi 58 për qind. Në fillim e besova, sepse kisha përceptimin e fitores së Bedri Hamzës. Nuk më shkonte kurrë në mendje se kandidati i PDK-së jo vetëm nuk kishte fituar, por kishte marrë 25 përqind më pak sesa thoshin exit-pollistët me mbiemrat Haxhiu në kub dhe Buzhala në katror, Panduri apo televizioni i Ben Blushit të Edi Ramës. Faton Peci ka bërë padi në prokurori për këtë “gabim njerëzor”, siç e justifikoi Batoni. Eshtë detyrë e prokurorisë që të provojë, nëse kjo ndodhi si “gabim njerëzor”, apo për shkak të angazhimit të këtyre grupeve pro serbe për të destabilizuar Kosovën.

Informatat e rreme si ajo për Mitrovicën, në shkallë pak më të zbutur qenë edhe në adresë të dy kandidatëve në Prishtinë, atij të LDK-së dhe atij të VV. Exit-polli dha një diferencë prej 7 përqind midis dy kandidatëve, gjithnjë në favor të të preferuarit të Batonit, pra në avantazh të zotit Rama. Por pak orë më vonë rezultati real e përgënjeshtroi edhe këtë dezinformonte. Diferenca midis dy kandidatëve është vetëm 0.71 për qind. Pra dhjetë herë më e vogël sesa deshi ta shiste Batoni. Edhe ky ishte “gabim njerëzor”?! Çfarëdo që të rezultojë nga hetimet e prokurorisë, për mua gabimet njerëzore mund të ndodhin në sondazhe, por jo në exit polle. Por edhe në sondazhe, nëse diferenca me realitetin është e madhe, atëherë sërishmi kemi të bëjmë me një mashtrim. Mashtrimi elektoral është shumë i rrezikshëm për shoqërinë, sepse cënon ekuilibrat socialë dhe politikë dhe vendi mund të shkojë në konflikt të brendshëm dhe anarki.

A nuk është ky qëllimi i Beogradit dhe i Moskës?! Sigurisht që po. Serbia dhe Rusia gjithnjë kanë dashur të “provojnë” narrativën se “shqiptarët nuk dinë e nuk mund të ndërtojnë shtet dhe institucione”! Demokracia është sistem vlerash dhe i lirisë. Nëse Serbia dhe Rusia arrijnë të rrënojnë demokracinë, lirinë e zgjedhjeve dhe lirinë njerëzore në Kosovë, ata e kanë shumë të lehtë të çmontojnë shtetësinë e Kosovës. Informatat e rrejshme, të cilat i plasuan në publik Baton Haxhiu, Lirimi i tij, Berat Buzhala, Panduri dhe Blushi, edhe nëse janë produkt i urrejtjes kundër Albin Kurtit, ato shkojnë në llogarinë politike të Beogradit dhe të Kremlinit. Prandaj dhe nuk mund të kalohet aq lehtë sa e pretendon ideatori i mashtrimit, zoti Haxhiu.

Gjithkush gabon. Por është i besueshëm vetëm ai që e pranon gabimin dhe sqaron publikun në hollësi për shkaqet e atij gabimi. Nëse dikush përpiqet ta kalojë lumin me një alibi si kjo me teorinë se gabimi është njerëzor, atëherë ky dikushi na garanton se do ta vazhdojë edhe në të ardhmen fushatën e tij desinformuese. Të tilla fushata Batoni ka bërë disa edhe në Shqipëri. Por projeksionet e tij i ka plotësuar në rezultatet zgjedhore Edi Rama me manipulimet e tij. Madje shefi i Batonit, pra kryeministri i Shqipërisë, ia jep koordinatat e rezultatit, të cilat bëhen qëllimisht target i sondazheve dhe exit-polleve. Gjithnjë për të thënë në fund se “edhe sondazhet treguan të njëjtin rezultat”! Në Kosovë skenari nuk funksionoi. Sepse atje nuk ka një trupë politikanësh, përveç ndonjë bajraktari lokal, që investohet në deformimin e zgjedhjeve dhe rezultatit të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *