Kthesë në skenën politike – Kurti merr mandatin, shpresat tek LVV për qeveri të re!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar të shtunën liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Sipas Kushtetutës së vendit, Kurti tani i ka 15 ditë kohë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.
Por, ai do të ketë punë për t’i gjetur të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për mandatin e tretë në krye të Qeverisë, pasi partia e tij i fitoi 48 ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.
E në lidhje me atë se si mund të formohet qeveria e re, në një prononcimi për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Fillimisht, ai u shpreh se zgjedhjet lokale dhe rezultati i tyre do ndikojë në negociatat për formimin e qeverisë së re.
ImageGani QarriFoto galeri
Sipas tij, ndonëse nuk ka sinjal nga LVV që është duke bërë marrëveshje me ndonjërën parti, LDK po jep ‘shpresë’ se mund edhe të bëj një koalicion me partinë fituese të 9 shkurtit.
“Zgjedhjet komunale, dëshmuan se mosbashkëpunimi i vazhdueshëm i partive politike shqiptare, ka frustruar aq shumë qytetarët e vendit, sa që edhe në votimet lokale, të merrnin pjesë vetëm një numër simbolik i tyre, ku përveç pjesëmarrjes së ulët prej vetëm rreth 39.5 për qind, që në fakt, është edhe më e ulët sesa në zgjedhjet lokale të vitit 2021, sovrani votoi në atë mënyrë, që në shumicën e komunave të vendit, fituesi të vendoset në balotazh, prandaj mënyra e zhvillimit të garës së partive politike, është pothuajse e sigurt, se do të ndikojë edhe në negociatat për formimin e qeverisë së re, të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Duke qenë se tanimë presidentja Dr. Vjosa Osmani edhe e ka mandatuar kryetarin e LVV-se z. Albin Kurti për formimin e qeverise se ardhshme, megjithëse ende nuk sinjale publike mbi koalicion të formuar të bashkëqeverisjes me ndonjërën nga partitë politike, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve lokale, si dhe në bashkë-votimin e Nenad Rashiqit për kryetar të Kuvendit edhe nga LDK-ja, ka shenja, qofshin ato edhe simbolike, se LDK, mund të bie dakord edhe për koalicion qeveritar, me të cilën LVV-ja, ka dëshmuar se është e interesuar ta formojë koalicionin për bashkëqeverisje në qeverinë e ardhshme”, shtjelloi analisti.
Po ashtu, Qarri vlerësoi lartë mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale dhe për këtë ai shpreson se ato do ndikojnë te partitë politike për një përafrim të mundshëm në nivel qendror për formim të qeverisë së re.
“Edhe njëherë duhet cekur se votimet e të dielës së 12 tetorit, për kryetarët dhe përbërjen e kuvendeve komunale, të zhvilluara në një atmosferë shembullore, të qetë dhe pa incidente të theksuara që do ta dëmtonin procesin dhe prishnin mbarëvajtjen e votimeve demokratike, me shtrirjen simetrike të votave të qytetarëve, për kandidatët në mbarë vendin dhe nga të gjitha partitë politike, pasqyruan një fenomen që dëshmon demokracinë më të avancuar në rajon, votimin e lirë e të pandikuar dhe procesin më demokratikë të zgjedhjeve në mbarë Evropën jugperëndimore, akt të cilin duhet ta marrin si shembull veprimi edhe partitë politike, për t’i mundësuar vendit krijimin e Qeverisë së re, veçanërisht tanimë kur është konstituuar edhe Kuvendi dhe shumë ligje, marrëveshje ndërkombëtare financiare, ekonomike e politike, si dhe obligime tjera të rëndësishme, presin miratimin e tyre për mbarëvajtjen e vendit, avancimin e shtetndërtimit dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve”, nënvizoi ai.
Më tej, analisti analizoi se me cilat parti mund të përafrohet LVV për koalicion, e në këtë pikë përmendi dy parti, LDK dhe Nismën.
“Shto kësaj faktin se me parti të vogla si Nisma, e cila kishte pretendime më të mëdha se sa vet fuqia e saj politike, negociatat nuk rezultuan të suksesshme, e vetmja mundësi dhe zgjidhja më e mirë, e cila do ta mundësonte edhe garantimin e votave të mjaftueshme për rivotimin apo zgjedhjen e Presidentit/tes të shtetit, në muajin prill të vitit të ardhshëm, mbetet LDK, ndaj pas votimit të përbashkët për Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit nga pakica serbe, unë besojë, se këto dy parti, ndoshta edhe nën insistimin e faktorit të jashtëm, nëse nuk kanë arritur deri tash marrëveshje, ndërkohë janë duke biseduar prapa kulisave, për mundësinë e formimit të një qeverie të qëndrueshme e stabile, të cilën, pas më tepër se 8 muajve nga zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka të domosdoshme dhe mese të nevojshme Republika e Kosovës”.
Ndër të tjera, analisti shtoi se, në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes LVV dhe ndonjë partie opozitare shqiptare, atëherë vendi duhet të shkoj sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Ndryshe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ndoshta edhe duke aluduar, në koalicionin e mundshëm me LDK-në, këto ditë ka deklaruar se nëse arrihet një komunikim i suksesshëm për përbërjen e Qeverisë së re, nuk do të pritet afati i fundit kohor për formimin e saj, që është 26 tetori, kur ai dhe duhet ta paraqes në Kuvend për votim, kabinetin e ri qeveritar, ose në të kundërtën, duke ditur gjendjen heterogjene të opozitës dhe pamundësinë e unifikimit të partive opozitare për bashkëqeverisje, vendi do të detyrohet sërish, të shkojë në zgjedhje të reja”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.