OPINIONTË FUNDIT

Armend Mehaj zbulon detaje nga ‘marrëveshjen e fshehtë’ me Turqinë: Ja si erdhën dronët kamikaz në Kosovë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar në lidhje me dronët kamikaz të ardhur së fundmi nga Turqia, duke konfirmuar se marrëveshja për furnizim me këto kapacitete ushtarake është nënshkruar gjatë kohës sa ai drejtonte Ministrinë.

“Po, gjatë kohës kur isha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, kam nënshkruar marrëveshjen e parë shtet me shtet me Turqinë, që përfshinte furnizimin me dronë Bayraktar, Puma, dronë kamikaz dhe shumë armatim tjetër,” deklaroi Mehaj.

Ai sqaroi se marrëveshja nuk u bë publike menjëherë për shkak të konfidencialitetit dhe sigurisë operacionale, në përputhje me marrëveshjen me partnerin turk. Sipas tij, marrëveshjet janë zhvilluar në mënyrë të koordinuar dhe në harmoni me praktikat e NATO-s, me mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti.

Gjithashtu, Mehaj iu përgjigj reagimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për ardhjen e dronëve kamikaz në Kosovë.

“Dua t’i kujtoj Vuçiqit dhe çdo udhëheqësi tjetër serb se Kosova është shumë më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet. Paqja në Ballkan është e domosdoshme dhe arrihet vetëm përmes respektit dhe bashkëpunimit,” tha ai, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Shumë mediume më kanë kërkuar sqarime lidhur me dronët kamikaz që tashmë kanë ardhur nga shteti mik turk. Dua ta konfirmoj qartë se: po, gjatë kohës kur isha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, kam nënshkruar marrëveshjet e parë shtet me shtet, e cila kishte për qëllim furnizimin me kapacitete drona Bayraktar, dronash Puma, dronësh kamikaz dhe shumë armatim tjetër.

Kjo marrëveshje nuk është bërë publike menjëherë, ashtu siç kishim rënë në ujdi me partnerin tonë, për arsye konfidencialiteti dhe sigurie operacionale. Tani që dërgesat janë të dukshme për të gjithë, është e rëndësishme të sqaroj një gjë: mënyra se si u arritën marrëveshjet shtet me shtet shpesh është keqkuptuar.

Në atë periudhë, blerjet e armatimeve për ushtrinë dhe policinë shpesh kryheshin përmes kanaleve të ndryshme administrative. Me mbështetjen e Kryeministrit Kurti, si ministër kam vendosur dhe zbatuar një sistem të marrëveshjeve shtet me shtet, në përputhje me praktikat e NATO-s, përmes të cilit na është mundësuar blerja e kapaciteteve strategjike në mënyrë transparente dhe të koordinuar.

Këto marrëveshje na japin mundësinë të porosisim pajisje të ndryshme, sipas nevojave profesionale, nëse kemi buxhet dhe një vizion të qartë zhvillimor për ushtrin tonë.

Ndërsa sa i përket reagimeve të presidentit serb rreth ardhjes në Kosovë të dronëve kamikaz, dua t’i kujtoj Vuçiqit dhe çdo udhëheqësi tjetër serb se Kosova është shumë më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet. Andaj, paqja në Ballkan është më se e domosdoshme, dhe kjo arrihet vetëm me respekt dhe bashkëpunim. Me këtë rast, bëjmë thirrje që Serbia ta shmangë retorikën luftënxitëse dhe një herë e përgjithmonë të shkëputet nga politika e ish diktatorit Millosheviç.

Ka edhe shumë marrëveshje të tjera që do te përmenden më vonë, dhe ka shumë armatim që as në ëndërr nuk e kemi pa më parë. Këto punë i kam kryer bashkë me ekipin tim në Ministrinë e Mbrojtjes.

Kosova dhe atdheu mbi të gjitha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *