OPINIONTË FUNDIT

Nga UDB te ShIK – Rrugëtimi i vetëdeklaruar i Fatmir Shehollit para arrestimit për spiunazh

Prishtinë – Arrestimi i Fatmir Shehollit nga Policia e Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në spiunazh në dobi të Serbisë, ka rikthyer vëmendjen te e kaluara e tij kontradiktore dhe deklaratat që ai vetë ka dhënë publikisht në vitet e fundit.

Sheholli është një nga figurat më të debatueshme të jetës publike, i cili në disa intervista është vetëdeklaruar si ish-pjesëtar i Sigurimit Shtetëror Serb (UDB) dhe më vonë i Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK).

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar arrestimin përmes një njoftimi zyrtar, duke e quajtur “një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

“Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm,” – ka deklaruar Sveçla.

Rrëfimet e Shehollit për UDB-në dhe ShIK-un

Në intervista të ndryshme për mediat vendore, Fatmir Sheholli ka thënë se ka qenë i përfshirë në UDB para luftës, ndërsa pas vitit 1999 është angazhuar në ShIK, strukturën e fshehtë të inteligjencës që doli nga radhët e ish-UÇK-së.

“Kam punuar në UDB, e më pas në ShIK. Shef e kam pasur Kadri Veselin,” – kishte thënë Sheholli në një intervistë.
“Në Serbi kam shkuar me detyrë për të gjetur informata për të burgosurit dhe varrezat masive,” – kishte shtuar ai në një tjetër paraqitje televizive.

Në po të njëjtat deklarata, Sheholli ka përmendur bashkëpunë me Elmi Reçicën dhe Latif Gashin, për të cilët ka thënë se kanë qenë pjesë e strukturës ku ai ka vepruar.
Asnjëri prej tyre deri më tani nuk i ka mohuar publikisht deklaratat e Shehollit, çka ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe paqartësi rreth rolit real të ShIK-ut në periudhën pas luftës.

Sipas analistëve të sigurisë, një qartësim publik nga personat e përmendur do të ishte i nevojshëm, për të shmangur mjegullën e krijuar rreth ShIK-ut, sidomos në një kohë kur po dalin në dritë edhe raste të tjera të spiunazhit me Serbinë.

Arrestimet e fundit dhe lidhja me ShIK-un

Rasti i Shehollit ndodh në një periudhë kur institucionet e sigurisë së Kosovës kanë hetuar disa raste të tjera të spiunazhit në dobi të Serbisë.
Në mesin e tyre janë përmendur dy shtetas shqiptarë të Kosovës, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të arrestuar muaj më parë nga Policia e Kosovës për bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).

Njëri prej tyre dyshohet të ketë pasur lidhje të mëparshme me ShIK-un, sipas burimeve hetimore, dhe ndodhet aktualisht në paraburgim.

Këto raste kanë ringjallur debatin publik për rrjetet operative që Serbia dyshohet se ka ruajtur në Kosovë përmes ish-strukturave informuese dhe lidhjeve personale të periudhës së pasluftës.

Një figurë kontradiktore

Fatmir Sheholli ka qenë për vite të tëra pjesë e debateve televizive dhe shkrimeve publike. Ai është përballur me akuza për lidhje me shërbimet serbe, të cilat i ka mohuar duke thënë se gjithmonë ka vepruar “në interes të Kosovës”.

Në rrëfimet e tij, ai ka thënë se gjatë punës në UDB “ka ndihmuar shqiptarët”, duke mbledhur informacione që, sipas tij, i ka përcjellë për qëllime mbrojtëse.

“Në atë kohë isha pjesë e sistemit serb, por nuk kam vepruar kundër popullit tim,” – ka deklaruar ai.

Sheholli ka pasur përplasje publike edhe me gazetarë e ish-ushtarakë, ndërsa reagimet ndaj tij kanë qenë të ndara: disa e kanë cilësuar si “njeri kontradiktor që thotë më shumë sesa duhet”, të tjerë si “burim informacioni për periudhën e pasluftës që kërkon transparencë”.

Hetimet në zhvillim

Policia dhe Prokuroria e Kosovës nuk kanë dhënë ende detaje të plota për veprimet konkrete për të cilat dyshohet Sheholli.

Burime të brendshme thonë se hetimet përfshijnë komunikime të vazhdueshme me struktura të sigurisë serbe dhe kanale informuese të mbetura nga e kaluara. MPB ka bërë të ditur se rasti është në trajtim të thelluar institucional, dhe se çdo provë do të publikohet në fazat e ardhshme të procedurës.

Kontekst: Çfarë janë UDB dhe ShIK

UDB – Ish-shërbimi sekret jugosllav/serb i njohur për ndjekjen e veprimtarëve politikë shqiptarë dhe disidencës kombëtare.

ShIK – Strukturë e sigurimit, që veproi pa status ligjor për disa vite dhe u shpall e shpërbërë rreth vitit 2008.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *