Ministrja Haxhiu reagon ashpër për marrëveshjen në rastin “AlbKings”
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook lidhur me marrëveshjen e arritur në rastin e grupit famëkeq “AlbKings”, duke e cilësuar atë si një akt që përforcon pandëshkueshmërinë për dhunuesit dhe poshtëron viktimat.
“Nuk është hera e parë që drejtësia në Kosovë tregon fytyrën e saj patriarkale dhe të pandjeshme ndaj krimeve me bazë gjinore”, ka shkruar Haxhiu, duke shprehur shqetësim për mënyrën si sistemi i drejtësisë po trajton çështjet që kanë të bëjnë me dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Ajo ka kritikuar ashpër Prokurorinë për atë që e quan kompromis të papranueshëm me autorët e dhunës, duke theksuar se në vend të mbrojtjes së viktimave dhe dërgimit të një mesazhi të qartë kundër ngacmimit dhe dhunës, është zgjedhur rruga e “poshtërimit të viktimave”.
Postimi i plotë:
Nuk është hera e parë që drejtësia në Kosovë tregon fytyrën e saj patriarkale dhe të pandjeshme ndaj krimeve me bazë gjinore por marrëveshja në rastin e grupit famëkeq “Albkings”, është një legalizim institucional i mosndëshkimit të dhunuesve.
Prokuroria, në vend që të mbrojë viktimat dhe të dërgojë mesazhin e qartë se ngacmimi nuk tolerohet, ka zgjedhur rrugën e kompromisit me dhunuesit dhe poshtërimin e viktimave.
Grupi famëkeq “AlbKings” ishte një mekanizëm i organizuar i dhunës digjitale dhe seksuale, i cili për vite me radhë ka shkatërruar jetën e shumë vajzave dhe grave në Kosovë.
Me qindra imazhe të publikuara pa pëlqim, me përndjekje, kërcënime dhe shantazhe të vazhdueshme, ky grup ka lënë pas vetes trauma të thella, pasoja psikologjike, sociale dhe personale për viktimat.
I bashkohem thirrjes së organizatave të shoqërisë civile që kjo marrëveshje të refuzohet dhe të shqiptohen dënimet në përputhje me legjislacionin në fuqi.