Vendimi i SHBA/ Partitë opozitare ‘bashkohen’ kundër Vetëvendosjes: A po përgatitet skenari i Grenellit?
Adem Salihaj: Unë nuk dëshiroj në asnjë mënyrë të mendoj se ky mund të jetë një sinjal se në një qeveri tjetër, mund të kthehet në tavolinë plani i Grenellit dhe përkrahësve tjerë për ndarjen e Kosovës…
SHBA-ja ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, duke cituar rritje të tensioneve dhe paqëndrueshmërisë.
Ish-deputeti, Adem Salihanj në një prononicm për “Bota sot”, ka thënë se pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA është një sinjal presioni ndaj qeverisë dhe Vetëvendosjes për zgjidhjen e bllokadës institucionale.
Ai thotë se në horizont shihet mundësia e një koalicioni të partive opozitare me Listën Serbe dhe pakicat, ndërsa pritet që edhe Gjykata Kushtetuese të vendosë në këtë drejtim.
Salihaj, thekson se skenari më i rrezikshëm për Kosovën do të ishte rikthimi i idesë së ndarjes.
“Pezullimi i dialogut strategjik është një segment i marrëdhënieve në mes SHBA-ve dhe Kosovës. Këtë dialog, SHBA-të e zhvillojnë me shtete mike dhe jo mike. Kjo nuk ka të bëjë me të gjitha marrëdhëniet dypalëshe. Megjithatë, është një sinjal jo i mirë për Kosovën. Sa i përket qëllimit, është e qartë se është presion i drejtpërdrejt ndaj qeverisë, për ta zgjidhur problemin e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë së re, për të dalur nga bllokada, në të cilën është futur Kosova. Është presion edhe ndaj Vetëvendosjes, e cila si partia më e madhe dhe fituese e zgjedhjeve, nuk po gjen mënyrë që të dilet nga kjo bllokadë.
Në horizont duken konturat e një koalicioni të partive tjera, duke përfshirë edhe Listën serbe, e ndoshta, pas një presioni, edhe të partive të pakicave jo serbe, të cilat do ta rikonstituojnë Kuvendin dhe do ta formojnë qeverinë e re. Mendoj se edhe vendimi i Gjykatës kushtetuese do të jetë në këtë frymë. Në këtë mënyrë Vetëvendosja do të mbetej vetëm dhe pa gjasa për ta marrë qeverinë në këtë mandat.
Unë nuk dëshiroj në asnjë mënyrë të mendoj se ky mund të jetë një sinjal se në një qeveri tjetër, mund të kthehet në tavolinë plani i Grenellit dhe përkrahësve tjerë për ndarjen e Kosovës, i cili ishte në tavolinë në mandatin e parë të Presidentit Tramp. Ky do të ishte skenari më i keq për Kosovën” – deklaron Salihaj për “Bota sot”.