TË FUNDIT

Ambasada gjermane mbron Kushtetuesen, Bytyçi reagon ashpër: Ja pse përmend Listën Serbe!

Debati mbi vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka hyrë në një fazë të re pas deklaratës së lëshuar nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë. Në reagimin e saj zyrtar, ambasada kërkoi nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë në Kosovë të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit, duke theksuar se çdo sulm apo kritikë ndaj Gjykatës Kushtetuese mund të konsiderohet ndërhyrje e papranueshme në punën e saj.

Ky qëndrim erdhi vetëm dy ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shprehu hapur kritikat e tij ndaj vendimeve të fundit të gjykatës më të lartë në vend, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e Kuvendit të Kosovës.

E ndaj kësaj deklarate të ambasadës gjermane, ka reaguar ashpër profesori Enver Bytyçi.

Në një reagim dërguar “Bota sot’, profesori e cilësoi deklaratën e ambasadës si të njëanshme, të padrejtë dhe në funksion të mbrojtjes së interesave të Listës Serbe – sidomos në kontekstin e vendimit që lidhet me deputetin Sllavko Simiq, i cili dyshohet për lidhje me organizatorët e sulmit terrorist në Banjskë.

Bytyçi shtron një pikëpyetje të madhe për atë që e konsideron qasje të padrejtë të faktorit ndërkombëtar ndaj gjyqësorit në Kosovë, duke rikujtuar se askush nuk mund të jetë mbi kritikën apo të jetë i paprekshëm nga debati demokratik – përfshirë as gjykatat, e aq më pak diplomatët.

Shkrimi i plotë

Ambasada e RF të Gjermanisë ka reaguar në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se çdo kritikë ndaj saj ose anëtarëve të saj, konsiderohet ndërhyrje në gjyqësor. Kjo, thotë ambasada gjermane, cënon pavarësinë e gjyqësorit. Madje paralajmëron dhe jo vetëm qorton partitë politike dhe individët që kritikojnë vendimin e fundit të kësaj gjykate për të bllokuar punimet e legjislativit.

Por filozofët gjermanë na sugjerojnë se askush në këtë botë, as vetë ambasada gjermane, nuk mund të jenë perfekt. Askush, thotë Immanuel Kant, nuk e ka monopolin e së vërtetës dhe se e vërteta absolute nuk ekziston. Shteti, shoqëria njerëzore, madje dhe bota materiale, kanë ligjet e veta të zhvillimit të përcaktuara nga filozofia. Filozofët gjermanë kanë vënë themelet e këtyre ligjeve.

Por sipas ambasadës gjermane paska një grup njerëzish, gjykatësit e kushtetueses së Kosovës, të cilët duhet të jenë të paprekshëm, të pakritikueshëm. Sepse, sipas saj, këta gjyqtarë, më pak se gishtat e të dy duarve, nuk gabojnë, pasi ata qenkan perfekt. Kur kjo gjykatë vendos sipas dëshirave të gjermanëve, francezëve etj, ajo është perfekte, e paprekshme dhe e pacënueshme. Nëse do të merrte ndonjë vendim që nuk i shkon për shtat kësaj apo një ambasade tjetër, atëherë ajo do të qortohej.

Deklarata e ambasadës gjermane është jo objektive, jo reale. Nuk i përmbahet ligjësive të dialektikës njerëzore, por interesave për të mbështetur një eksponent të Listës Srpska, deputetin Simiq, i dyshuar me arsye për bashkëpunimin e tij me terroristët e kësaj partie, të cilët organizuan dhe drejtuan aktin terrorist të Banjskës. Sa kohë të vazhdojë kjo politikë qorre, aq kohë Lista Srpska dhe Beogradi do ta kenë më të lehtë t’u shërbejnë interesave ruse për destabilizimin e Ballkanit e të Kosovës. Këtë mundësi të artë përpiqet edhe ambasada gjermane t’ia japë Kremlinit dhe shërbëtorëve të tij në Beograd e në Listën Srpske.

Prandaj teorikisht dhe praktikisht deklarata gjermane është e gabuar. Është e pavend dhe e pamotivuar, është e bazuar në padrejtësi dhe në shkeljen e ligjit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *