TË FUNDIT

Haxhiu: Kosova është shtet unitar dhe jo multietnik – s’ka të drejtë të vetos për Listën Serbe

Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit, në një konferencë për media të mërkurën ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar komente në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ankesën e Listës Serbe për çështjen e nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu ka thënë se “Kosova është shtet unitar dhe jo multietnik”. Ajo ka thënë se askush s’ka të drejtën e vetos mbi organet e Kosovës.

“Së pari dua të theksoj se shteti ynë është unitar dhe jo multietnik. Ky model është rregullatori i Republikës sonë demokratike. Në shtetin tonë të pavarur në vitin 2008, asnjë grup etnik, gjinor a shoqëror nuk e ka të drejtë ne vetos mbi organet tona që konstatojnë republikën. Ne qytetarët jemi palë të barabarta”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se Pakoja e Ahtisaarit që i parapriu përmbajtjes së Kushtetutës së Kosovës “ka dhënë vende të rezervuara për komunitetet joshumicë, e jo të drejtën e vetos”.

Nënkryetarja e Kuvendit ka thënë se Kushtetuta e Kosovës qëllimisht ka shmangur të drejtën e vetos për deputetët e komuniteteve që të garantojë funksionalitetin e institucioneve.

Ajo ka thënë se Vetëvendosje ka kërkuar që Kushtetuesja të hedhë poshtë kërkesën e Listës Serbe. E ka cilësuar të papranueshme masën e përkohshme që e ka vënë kjo gjykatë mbi këtë kërkesë.

Për Listën Serbe ajo ka thënë se është kërcënim direkt për stabilitetin dhe demokracinë e Kosovës.

Të premten e javës që shkoi Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Masa është vendosur në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe. Në fund të gushtit Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët, duke ndarë votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë. Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit e kryetari i ri Dimal Basha e ka shpallur institucionin të konstituuar. Pas këtij vendimi subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me vendimin e Bashës është shkelur Kushtetuta me ndarjen e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet pakicë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *