POLITIKATË FUNDIT

Tensionet në Beograd/ Paralajmërohen incidente të orkestruara nga Serbia në Kosovë

Tash e një kohë, Serbia po përballet me protesta të dhunshme kundër qeverisjes së presidentit Aleksandar Vuçiq.

Këto protesta nisën pas shembjes tragjike të çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku vdiqën 16 persona.

Ngjarja nxiti akuza për korrupsion dhe keqmenaxhim nga qeveria e Serbisë.

Megjithatë, protestat vazhdojnë edhe sot me numër të madh protestuesish, ndërsa shteti serb po përdor dhunë ndaj tyre. Situata mbetet shumë e tensionuar, dhe po përflitet edhe mundësia e një shpërthimi më të gjerë, madje edhe e një lufte civile në vend.

Ekspertët theksojnë se problemi kryesor është se Beogradi mund të shfrytëzojë këto tensione për të nxitur nacionalizmin dhe retorikën anti-Kosovë, veçanërisht duke ndikuar në veri të Kosovës, ku jeton shumica serbe.

Racaj: Tensionet në Serbi mund të eksportohen në Kosovë

Lidhur me këtë çështje, Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se protestat e dhunshme në Serbi pasqyrojnë një krizë të thellë politike dhe pakënaqësi ndaj qeverisjes autoritare të Vuçiqit.

ImageProf. Dr. Muhamet RacajFoto galeri
“Protestat e dhunshme në Serbi janë tregues i një krize të thellë politike dhe i pakënaqësive të akumuluara ndaj qeverisjes autoritare të presidentit Vuçiq. Megjithatë, skenari i një lufte civile në Serbi nuk duket realist, pasi pushteti qendror ende kontrollon mekanizmat kryesorë të sigurisë dhe aparatin shtetëror”, ka thënë ai.

Ai paralajmëron se regjimi mund t’i shfrytëzojë tensionet për të nxitur nacionalizëm dhe retorikë anti-Kosovë, duke e bërë Veriun e Kosovës zonën më të ndjeshme ndaj destabilizimit dhe instrumentalizimit politik nga Beogradi.

“Rreziku më i madh vjen nga mundësia që regjimi i Beogradit t’i përdorë këto tensione të brendshme si instrument politik, duke nxitur nacionalizmin dhe retorikën anti-Kosovë për të shpërqendruar opinionin publik dhe për të konsoliduar pushtetin. Në këtë rrethana, Veriu i Kosovës – me shumicë serbe dhe nën ndikim të drejtpërdrejtë të politikës së Beogradit – mbetet zona më e ndjeshme dhe potencialisht e prekur nga zhvillimet në Serbi. Çdo provokim ose destabilizim i mundshëm atje do të kishte për qëllim dobësimin e institucioneve të Kosovës dhe njëkohësisht mobilizimin e opinionit serb rreth Vuçiqit”, ka potencuar Racaj.

Sipas tij, stabiliteti në vend, veçanërisht në veri, varet nga mbështetja e BE-së dhe SHBA-së për institucionet e Prishtinës.

“Për Kosovën, ekziston një rrezik real i tensioneve lokale, por më shumë në formën e incidenteve të orkestruara dhe rezistencës së kontrolluar ndaj autoriteteve, sesa si pasojë e drejtpërdrejtë e një lufte civile në Serbi. Stabiliteti i vendit dhe veçanërisht i veriut do të varet nga dy faktorë kyç: mbështetja e fortë e BE-së dhe SHBA-së për institucionet e Prishtinës dhe presioni ndërkombëtar mbi Beogradin, si dhe roli parandalues i KFOR-it dhe pranisë ndërkombëtare në terren”, ka theksuar ai.

Racaj ka përmbyllur duke theksuar se, megjithëse një luftë civile në Serbi nuk është e pritshme, ekziston rreziku real që tensionet të eksportohen në Kosovë.

“Në përfundim, nuk presim shpërthim të një lufte civile në Serbi, por duhet llogaritur seriozisht rreziku që tensionet të exportohen në Kosovë dhe të përdoren nga Beogradi si mjet politik. Kjo kërkon vigjilencë të lartë nga Prishtina dhe partnerët e saj ndërkombëtarë”, ka përfunduar Racaj.

Duhanaj: Ndërhyrja ndërkombëtare po e ndalon rrëshqitjen e Serbisë në diktaturë

Lidhur me këtë çështje, analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se situata politike dhe e sigurisë në Serbi dëshmon se populizmi dhe autoritarizmi mund të rrëshqasin lehtësisht në diktaturë

Ai ka shtuar se Vuçiq duket i gatshëm të përdorë edhe dhunën për të ruajtur pushtetin.

“Situata politike dhe e sigurisë në Serbi është dëshmia më e mirë se si populizmi dhe autoritarizmi politik shumë lehtë mund të rrëshqasin në diktaturë.

Serbia është në prag të një diktature; fati i saj qëndron në konstelacionin momental gjeopolitik, marrë parasysh se një gjë e tillë duket e pamundshme në këtë kohë, falë ndikimit ndërkombëtar në opinionin publik.

Megjithatë, gjendja duket të jetë e rëndë dhe, sipas të gjitha gjasave, Presidenti i Serbisë, Vuçiq, është në gjendje dhe shumë i gatshëm të shkojë shumë larg për ta mbrojtur pushtetin e tij, qoftë edhe përmes dhunës”, ka thënë ai.

Më tej, Duhanaj ka theksuar se në rast të përshkallëzimit të situatës, ekziston rreziku i zgjerimit të dhunës, por e ka përmendur rolin garantues të KFOR-it/NATO-s për kufijtë.

“Në një rast të tillë, natyrisht që rreziku i zgjerimit të dhunës do të mund të ishte potencialisht i madh. Megjithatë, mendoj që Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për të kontrolluar sigurinë e saj publike. Nga njëra anë kemi KFOR-in, gjegjësisht NATO-n, organizatë e cila garanton kufijtë e Kosovës. Nga ana tjetër kemi Policinë e Kosovës, e cila karakterizohet nga një shkallë e lartë profesionalizmi dhe kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me çfarëdo sfide të brendshme”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Duhanaj ka ngritur shqetësime serioze për nivelin e lartë të papërgjegjshmërisë në politikën zyrtare të Kosovës, duke e quajtur këtë një degradim sistematik të institucioneve.

Sipas tij, mungesa e funksionalitetit në Qeveri, Kuvend dhe ndërmarrjet publike po e çon vendin drejt kolapsit.

“Ajo çfarë i mungon Kosovës dhe për të cilën duhet të shqetësohemi seriozisht, është niveli i ulët i përgjegjësisë — apo thënë më mirë — niveli i lartë i papërgjegjësisë së politikës zyrtare.

Është vërtet për keqardhje në çfarë derexheje i kanë lëshuar institucionet e vendit.

Degradim sistematik.

Nuk ka as Qeveri, as Kuvend, as borde në të gjitha ndërmarrjet publike, e as edhe një institucion të vetëm ku nuk ka probleme të thella dhe ku hapi i radhës, si rrjedhë e natyrshme, duket kolapsi.Prandaj, shqetësimi ynë duhet të jetë qeverisja e papërgjegjshme e Kosovës. Thuajse shumë më shumë se nga fqinjët, Kosova dhe institucionet e saj janë dëmtuar, vazhdojnë të dëmtohen dhe të kërcënohen nga vetë qeveritarët”, ka përfunduar Duhanaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *