OPINIONTË FUNDIT

Hapja e urës së re mbi Ibër, Tali: Qeveria meriton duartrokitje, edhe nëse përdoret për fushatë

Mëngjesin e së martës është hapur njëra nga dy urat që Qeveria në detyrë e Kosovës nisi t’i ndërtojë muaj më parë mbi lumin Ibër, i cili ndan Mitrovicën në jug, të banuar me shqiptarë, dhe veri, të banuar me serbë.

Hapja e urës shihet si hap drejt lehtësimit të lëvizjes dhe forcimit të komunikimit mes dy anëve të qytetit.

Kryeministri Albin Kurti, shkroi në Facebook se “më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër”.

Analisti politik, Driton Tali, ka vënë në pikëpyetje arsyetimin pse “ura e vjetër” mbi lumin Ibër mbahet e mbyllur për qarkullim të makinave, duke e cilësuar argumentin e sigurisë si “naiv e të pabesueshëm”.

Ai megjithatë e ka përshëndetur ndërtimin e urës, duke thënë se qeveria meriton duartrokitje për këtë hap, pavarësisht se projekti mund të përdoret në fushatë zgjedhore.

“Unë akoma nuk e kam të qartë pse “ura e vjetër” mbi lumin Ibër mbahet e mbyllur për makina?! Sepse argumenti i sigurisë është aq naiv (për mos të përdorur fjalë tjetër) sa është e pabesueshme që dikush nga institucionet e sigurisë, sidomos atyre të sofistikuara të KFOR-it, me të vërtet ta besojnë. Për faktin se ishin urat tjera afër që përdoreshin për komunikacion.

Sidoqoftë, ndërtimi i urës, duke i marrë parasysh rrethanat, është një hap për ta duartrokitur qeverinë. E kam parasysh që ura mund të përdoret për fushatë (ashtu siç po e theksojnë rivalët e Kurtit) por s’ka të keqe asgjë aty. Ngase, gjitha punët e mbara që i bëjnë partitë në pushtet i përdorin për fushatë. Kjo është politika!”, thotë ai.

Tali ka thënë se nuk do të ketë tensione nga pjesa radikale serbe pas hapjes së urës mbi lumin Ibër.

Sipas tij, një reagim i tillë do t’i dëmtonte vetë serbët, duke i paraqitur si “don kishotë që luftojnë me mullirin e erës”.

Ai theksoi se ura ka rolin e bashkimit, komunikimit e harmonisë dhe mund të kontribuojë në stabilizimin e jetës në Mitrovicë e më gjerë.

Megjithatë, Tali nuk e përjashton mundësinë që regjimi i Vuçiqit të tentojë keqpërdorime, por pa pasoja serioze.

“Sa i përket ngritjeve të mundshme të tensioneve politike nga pjesa radikale serbe, unë nuk pres që do të ketë. Gjithnjë them duke patur parasysh rrethanat në Kosovë dhe rajon.

Jo vetëm për faktin se ajo do ishte krejt palidhje dhe do t’i dëmtonte ata – do t’i paraqiste Don Kishot që luftojnë me mullirin e erës – por edhe ethosi i urës është eliksir i bashkimit, komunikimit dhe harmonisë në mes njerëzve dhe kulturave.

Prandaj përkundrazi unë pres që ajo urë të kontribuojë (sadopak qoftë) në stabilizimin e jetës, së pari të qytetarëve të “dy” Mitrovicave, e pastaj edhe të tjerëve për rreth dhe gjithandej.

Ndonëse, nuk përjashtohet mundësia që klika e Vuçiçit të tentojë ta keqpërdor por duke i patur parasysh rrethanat nuk do të mund të bëjnë diçka serioze negative” – përfundon Tali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *