POLITIKATË FUNDIT

“Lista Serbe duhet shpallur jokushtetuese” – Mehmeti mbështet vendimin e KQZ-së, paralajmëron për rolin e PZAP-it

Gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 21 gusht, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.

Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Kurse, pas kësaj, Lista Serbe dorëzoi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anekesën lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e kësaj partie për zgjedhjet lokale të tetorit.

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Së pari, tha se moscertifikimi i Listës Serbe është hap i madh lidhor dhe dërgon mesazh se nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje, askush që kundërshton sovranitetin e shtetit.

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe, partinë më të madhe të komunitetit serb në Kosovë, është një hap i domosdoshëm ligjor. Ky vendim dërgon një mesazh të qartë: askush nuk mund të hyjë në zgjedhje duke qenë kundër sovranitetit të shtetit. Transparenca dhe përgjegjësia për ruajtjen e shtetit nuk janë zgjedhje politike, por obligime”, theksoi analisti.

Krahas kësaj, Mehmeti paralajmëroi se PZAP edhe mund ta urdhëroj KQZ-në ta regjistrojë LS, e që për këtë dha disa detaje.

“Në të njëjtën kohë, PZAP mbetet mekanizmi i drejtësisë zgjedhore që mund të korrigjojë këtë vendim, duke urdhëruar KQZ-në ta regjistrojë Listën Serbe. Ky mekanizëm është një garanci që komuniteti serb mund të marrë pjesë në zgjedhje, por në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme, duke respektuar të njëjtat standarde që vlejnë për të gjitha partitë”.

Ndër të tjera, analisti shtoi se institucionet e shtetit duhet ta shpallin jokushtetuese Listën Serbe, shkak i veprave penale të saj.

“Vendimi i KQZ-së nuk është kundër komunitetit serb, por është një thirrje për ruajtjen e kushtetutshmërisë. Mirëpo, janë organet shtetërore të drejtësisë ato që duhet të marrin vendimin për shpalljen jo-kushtetuese të Listës Serbe”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *