POLITIKATË FUNDIT

Kërçeli: Nuk munden subjektet tjera të na përcaktojnë kandidatin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli thotë se subjektet e tjera nuk mund t’ia përcaktojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit partisë së tij.

Ai këto komente i bëri teksa hyri në Kuvendin e Kosovës ku pas pak pritet të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit.

“Ne kemi treguar edhe në të kaluarën që nuk munden subjektet tjera me na e përcaktua kandidatin….E kanë bërë në të kaluarën, por po flasim për gjendjen aktuale”, tha shkurt ai.

Pas 3 javësh, të mërkurën deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në seancën e 20 gushtit ashtu siç e kërkoi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për bllokadën politike votimi për kryekuvendar u bë me votim të hapur, dhe Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por asnjëra nuk mori 61 votat për tu zgjedhur në këtë pozitë.

Pas këtyre dy dështimeve kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu seancën e cila do të vazhdoj sot nga ora 11:00.

Të hënën Gjykata Kushtetuese e publikoi aktvendimin për ngërçin politik, aktgjykim i cili përcakton një afat 30 ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Sipas po këtij aktgjykimi një kandidat apo kandidate nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

Kosova më 9 shkurt të këtij viti mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *