Kush është Hogard, koloneli që ndau Mitrovicën?
Kur hynë në Kosovë, në qershor 1999, ushtarët francezë të NATO-s u vendosën në veri të vendit.
Këta iu sfiduan me një realitet më kompleks, për shkak të tensioneve që po vazhdonin mes shqiptarëve e serbëve, sidomos në Mitrovicë.
Duke parë këtë situatë, komandanti i njësisë speciale të forcave franceze, koloneli Jacques Hogard mori një vendim drastik, duke vënë tela xhembor në urën e Ibrit, për çfarë ka folur në një intervistë të publikuar ne medie serbe.
Për këtë vendim të 25 qershorit 1999 dhe disa tjera që pati marrë si drejtues i trupave franceze në Mitrovicë, Hogard u quajt shpëtimtar e hero, nga serbët. Madje, u nderua me çmime e dekorata. Një të tillë, me motivacion për “shërbimin e tij meritor në promovimin e interesave serbe” dhe për veprimet e tij ushtarake në Kosovë, ia ndau presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, në nëntor 2023.
Jamie Shea, që në kohën e bombardimeve të NATO-s në Kosovë, më 1999 ishte zëdhënës i Aleancës, thotë se do ta refuzonte një dekoratë të tillë.
Një mitrovicas, që nuk i përket komunitetit shqiptar, e as atij serb, thotë se Hogard bëri veprime që ishin në shërbim të qëllimeve të Serbisë për të ndarë Kosovën.
Hogard është autor i libri “Evropa vdiq në Prishtinë”në të cilin ai shkruan për përvojat e tij në Kosovë. Mes tjerash, koloneli që konsiderohet si komandanti që lejoi dhe konsolidoi ndarjen e Mitrovicës, e përshkruan këtë të fundit si pika ku “Evropa humbi fytyrën” teksa pretendon të arsyetojë veprimet trupave franceze me ruajtjen e paqes dhe shmangien e përplasjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve me serbët.