Serbia fshehë kriminelët e saj, ekspertët e sigurisë bëjnë thirrje që ndërkombëtarët të veprojnë shpejtë!
Gecaj: Mungesa e reagimit ndërkombëtar do të krijonte një standard të rrezikshëm, duke i dhënë Serbisë hapësirë të vazhdojë të mbrojë individë që shpesh kanë edhe lidhje me struktura kriminaleRacaj: Refuzimi i Serbisë për të lejuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol dëmton kapacitetet tona për të shpallur në nivel ndërkombëtar urdhërarrestet ndaj personave që strehohen në Serbi
Serbia vazhdon të jetë edhe më tutje strehë e personave të kërkuar për vepra të ndryshme penale nga institucionet e Kosovës. Tashmë janë dëshmuar disa raste kur ajo strehon kriminelët që nuk dënohen nga askush.
Qindra qytetarë serbë që kanë kryer vepra të rënda në Kosovë në raste të ndryshme, janë strehuar në Serbi të pa dënuar e gjykuar nga askush.
Por, një veprim i tillë konsiderohet si shumë i rrezikshëm për gjithë rajonin. Madje, kritikat shkojnë për institucionet ndërkombëtare që nuk veprojnë në drejtim të Serbisë, shtetit gjenocidal që dihet mirë se asnjëherë nuk iu përmbahet marrëveshjeve të zotuara.
Kështu, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj i pyetur se në raste të tilla a duhet të ketë reagime dhe veprime nga institucionet ndërkombëtare karshi Serbisë, ai thotë se duhet të ketë, pasi veprimet e tilla serbe dëmtojnë sundimin e ligjit dhe drejtësisë në rajon.
Gecaj: Ky veprim tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të respektojë as marrëveshjet ekzistuese
ImageHysen GecajFoto galeri
“Po, duhet të ketë reagim dhe veprim. Serbia, duke u bërë strehë për persona të kërkuar nga drejtësia e Kosovës, jo vetëm që dëmton sundimin e ligjit dhe drejtësinë në rajon, por gjithashtu minon procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe stabilitetin në Ballkan. Ky veprim tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të respektojë as marrëveshjet ekzistuese, as parimet e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar”, vlerëson Gecaj për ‘Bota sot’.
Eksperti Gecaj ndër të tjera tregon hapat që duhet ndërmarrë në këtë rast.
“Në këtë rrethanë: Institucionet ndërkombëtare (BE, SHBA, INTERPOL, Këshilli i Evropës) duhet të vendosin presion politik dhe diplomatik ndaj Serbisë që të përmbushë obligimet e saj për bashkëpunim juridik; Kosova duhet të ngrejë zyrtarisht çështjen në instancat ndërkombëtare, duke dokumentuar rastet konkrete ku Serbia ka refuzuar bashkëpunimin për ekstradim ose ndihmë juridike; Mungesa e reagimit ndërkombëtar do të krijonte një standard të rrezikshëm, duke i dhënë Serbisë hapësirë të vazhdojë të mbrojë individë që shpesh kanë edhe lidhje me struktura kriminale ose të së kaluarës së luftës”, tha ai.
Sipas tij, një reagim ndërkombëtar është i domosdoshëm.
“Në thelb, reagimi i fuqishëm ndërkombëtar është i domosdoshëm, jo vetëm për drejtësinë në Kosovë, por edhe për ruajtjen e besueshmërisë së vetë proceseve të integrimit evropian dhe sundimit të ligjit në rajon”, thekson Gecaj.
Gjeneral major Racaj: Faktori ndërkombëtar duhet të reagojë
Gjeneral major Muhamet Racaj ka ngritur shqetësimin për fenomenin e strehimit të personave të kërkuar nga drejtësia e Kosovës në territorin e Serbisë, duke e cilësuar atë si problem serioz juridik, politik dhe të sigurisë rajonale.
“Strehimi i personave të kërkuar nga drejtësia e Kosovës në Serbi nuk është vetëm një çështje juridiko-penale, por një sfidë e rëndësishme politike dhe e sigurisë për gjithë rajonin,” deklaroi Racaj.
ImageProf. Dr. Muhamet RacajFoto galeri
Ai tha se Serbia është palë në konventa ndërkombëtare që e obligojnë të mos ofrojë strehë për persona të akuzuar për krime të rënda, por refuzimi i saj sistematik për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës ka krijuar një boshllëk ligjor dhe ka ushqyer kulturën e mos-ndëshkueshmërisë.
“Serbia ka nënshkruar instrumente ndërkombëtare, si Konventa Evropiane për Ekstradimin, por refuzon t’i zbatojë. Ky qëndrim jo vetëm që minon sundimin e ligjit, por e bën Kosovën peng të politikave obstruktive të Beogradit,” theksoi ai.
Në aspektin politik, Racaj u ndal tek pengimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë, veçanërisht në Interpol.
“Refuzimi i Serbisë për të lejuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol dëmton kapacitetet tona për të shpallur në nivel ndërkombëtar urdhër arrestet ndaj personave që strehohen në Serbi. Në këtë mënyrë, Serbia jo vetëm i mbron kriminelët, por edhe bllokon mekanizmat globalë të drejtësisë,” tha gjeneral majori.
Ai e konsideroi këtë qasje të Serbisë si faktor destabilizues për gjithë rajonin.
“Mosbashkëpunimi i Serbisë dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe rrezikon sigurinë rajonale. Serbia nuk i përdor instrumentet ndërkombëtare si mekanizma bashkëpunimi, por si mjete presioni politik ndaj Kosovës,” u shpreh Racaj.
Gjeneral majori u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë më fuqishëm.
“Bashkimi Evropian duhet të e lidhë progresin e Serbisë drejt integrimit me bashkëpunimin konkret në fushën e drejtësisë dhe me heqjen e pengesave ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Po ashtu, SHBA dhe mekanizmat e sigurisë ndërkombëtare nuk duhet të lejojnë që bllokadat e Serbisë të minojnë luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit,” tha ai.
Gjeneral major Muhamet Racaj paralajmëroi për rreziqet që sjell mungesa e reagimit ndërkombëtar.
“Mosveprimi i faktorit ndërkombëtar do të forconte strategjinë obstruktive të Serbisë, do të dëmtonte legjitimitetin e institucioneve të Kosovës dhe arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Reagimi i koordinuar ndërkombëtar është test për kredibilitetin e rendit global të bazuar në rregulla,” përfundoi ai.