Gjyqtarë me vila, makina luksoze e rroba firmato”/ Kush po e pengon Vettingun?
Procesi i vettingut në drejtësi në Kosovë është më i domosdoshëm se kurrë. Në një kohë kur qytetarët janë tronditur nga vrasjet e fundit dhe ku kriminelë të dyshuar lirohen pas periudhave shumë të shkurtra paraburgimi, besimi në sistemin gjyqësor është vënë në pikëpyetje të thellë.
Rasti i vrasjes së trefishtë në Gjilan është shembulli më i fundit alarmant. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dy nga të dyshuarit për këtë krim kanë qëndruar në paraburgim vetëm pak muaj, nga data 21 qershor 2024 deri më 8 tetor 2024, me ndërprerje të paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Kjo periudhë shumë e shkurtër paraburgimi për veprat që ata dyshohen të kenë kryer tregon për një problem serioz në trajtimin e rasteve nga institucionet e drejtësisë. Një qëndrim kaq i shkurtër dhe ndërprerja e paraburgimit mund të çojë në pasoja tragjike, siç pamë sot me vrasjen e trefishtë. Sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve,” ka thënë ajo.
Në këtë kontekst, vettingu është më se i nevojshëm. Një proces i tillë ishte iniciuar nga Qeveria Kurti, e cila kishte propozuar draftin e projektligjit për vettingun në sistemin prokurorial dhe gjyqësor.
Megjithatë, në fillim të vitit 2024, Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë ndryshimet kushtetuese të nevojshme për nisjen e këtij procesi. Kjo ndodhi për shkak të mungesës së deputetëve nga komunitetet jo shumicë, të cilët janë të nevojshëm për të siguruar shumicën prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese.
Halilaj: Pa vetting të thellë, çdo reformë tjetër është vetëm fasadë
Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot” ka theksuar se Vettingu në drejtësi është urgjent dhe thelbësor për shtetin ligjor në Kosovë.
ImageGazmend HalilajFoto galeri
“Vettingu në drejtësi nuk është vetëm i domosdoshëm – ai është urgjent dhe jetik për funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë. Kur shohim raste si ai i fundit në Gjilan, ku persona të dyshuar për krime të rënda arrestohen dhe pas një kohe shumë të shkurtër lirohen, lind pyetja e pashmangshme: a po e bën drejtësia punën e saj në mënyrë të pavarur, të ndershme dhe profesionale?
Ky fenomen i përsëritur dëmton besimin e qytetarëve në institucione dhe krijon bindjen se ligji nuk është i njëjtë për të gjithë. Pa një Vetting të thellë, rrezikojmë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë të kapur nga politika, nga interesat personale apo edhe nga ndikimet kriminale. Një drejtësi e tillë nuk është drejtësi, por një pengesë për zhvillimin e vendit”, ka thënë ai.
Më tej, Halilaj ka theksuar se Vettingu po pengohet nga ata që kanë frikë nga transparenca.
“Kush po e pengon Vettingun? Përgjigjja është e thjeshtë dhe e hidhur: ata që kanë frikë nga transparenca. Individë brenda sistemit, të lidhur me rrjete të interesit, që e dinë se pas filtrimit nuk do të mund të vazhdojnë të fshehin pasurinë e pajustifikuar, vendimet e dyshimta apo lidhjet e tyre me struktura të errëta.
Kosova ka nevojë për një drejtësi që i shërben popullit, jo për një sistem që mbron vetveten. Vettingu nuk është hakmarrje – është pastrimi i domosdoshëm për të garantuar se ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Pa këtë proces, çdo reformë tjetër në drejtësi është vetëm fasadë.
Qytetarët duhet ta kërkojnë me ngulm Vettingun dhe institucionet duhet ta zbatojnë pa kompromis. Një vend ku kriminelët lirohen shpejt nuk është vend i sigurt; një vend ku drejtësia është e pastër, është vend me të ardhme”, ka potencuar Halilaj.