Lista Serbe, Gjykata Kushtetutë-diktuese dhe opozita vasale, aleancë e përbashkët për largimin përgjithmonë të Kurtit nga pushteti
Si rezultat i “suksesshëm” i kësaj marrëveshjeje, ishin trazirat e sotit në pjesën veriore duke inskenuar situata gjoja të paqëndrueshme, siç deklaroi edhe udhëheqësi i Listës serbe duke e alarmuar faktorët në Serbi dhe Bashkësinë Ndërkombëtare për një situatë të paqëndrueshme nën regjimin e Kurtit. Shto të tjerat, ku përfshihen provokimet e mosdurimet ndaj koncertit të organizuar nga shqiptarët, duke harruar se në atë pjesë nuk komandon më Serbia, por Republika e Dardanisë, duke iu siguruar të gjitha të drejtat e të gjitha komuniteteve.
Por, fatkeqësisht, komuniteti serb nën diktatin e Serbisë ende është nën ëndrrat e vjetra të cilat, nëse dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe harmoni, të gjitha i kanë të siguruara sipas Kushtetutës.
Qëllimisht e fillova tekstin e këtij shkrimi me atë që ndodhi sot në veriun e Mitrovicës.
Përderisa Albin Kurti e pastroi veriun nga grupet terroristo-kriminale të sponsorizuara nga Serbia nën udhëheqjen e Milan Radojçiqit dhe bashkëpunëtorëve serbo-shqipfolës si dorë e zgjatur e saj, me tentim ndikimi në Republikën e Dardanisë përmes opozitës vazale të Serbisë, të njëjtin pastrim nuk ia arritën ta bëjnë gjykatat, duke filluar nga Kushtetuesja ndikuese, gjykatat e rregullta, prokuroritë nga ato shtetërore deri te ato lokale komunale.
Kur e thashë Kurti, mendoj në administratën e tij sepse do të tingëllojë si diktaturë, por në bazë të rregullave demokratike me arsyetime të argumentuara për ta shpëtuar shtetin nga një anarki e krijuar nga gjykatës të korruptuar e shantazhuar (gjykatës të instaluar nga ish-pushtetet, të cilët janë të detyruar t’ua interpretojnë Kushtetutën sipas interesave dhe diktateve të tyre).
Është e njëjtë sikur mospastrimi i veriut nga grupet të cilat i ceka, që do të thotë mosfunksionimi i shtetit në tërësi, njësoj sikur mospastrimi i gjykatave për funksionim të shtetit të së drejtës, e jo duke lëshuar qëllimisht vendime me plot ambiguitete, paqartësi e konfuzitet për t’iu dhënë mundësi palëve dështuesve, të manipulimit, shtrembërimit dhe adaptimit sipas interesave të tyre të cilat konsistojnë nga obligimet e marra si pjesë e shantazhuar nga ish-udhëheqësit për të mos u zbuluar hajnitë, krimet dhe marrëveshjet e dëmshme për shtetin, sikur rasti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i vetëpropozuar nga udhëheqja e vitit 2013, pa ua kërkuar askush nga BE-ja e as SHBA-të, në kohën kur negociatat udhëhiqeshin nga ish-shefja e Politikës së Jashtme dhe e Sigurisë së Evropës, Catherine Ashton (sipas Marc Weller).
Gjykata Kushtetuese-ndikuese, në vend se të jetë e qartë në vendimin e saj dhe shpjegimet shtesë (ndoshta në ndërkohë do të dalin) që do të shërbenin si veprim i duhur për të ardhmen, ajo, pra Gjykata Kushtetuese-ndikuese, aq shumë e ka komplikuar e mbështjellë lëmshin e saj në këtë rast, e cila, po të kishte vullnet dhe gatishmëri për ta larguar ngërçin shtetëror, që është detyrë dhe përgjegjësi e saj shtetërore, ishte dashur të përpilohet një Kushtetutë e re (ani pse nuk është momenti, por duhet të mendohet për këtë) një herë e për shumë vite, pa ndikim, imponim e shantazhim nga ato kategori partish e liderësh partiakë, për ta shpëtuar vendin nga kriza të tilla tragjikomike ku e tërë bota demokratike po tallët me shtetin më të ri, ani pse me demokraci të re, por me metoda ende të vjetra nën kthetrat e diktaturave.
Nga kriza kushtetuese nuk dilet me metoda e mentalitet të tejkaluar e të vjetëruar, nën presionin e palëve të interesit — partive politike, respektivisht liderëve të tyre të dirigjuar nga ish-paraardhësit e tyre, disa në Hagë e disa në liri, nga udhëheqës të shantazhuar si bashkëpunëtorë të armikut me politika e biznese të përbashkëta gjithnjë në dëm të shtetit e qytetarit. Ata nuk kanë rrugëdalje tjetër përpos t’i pranojnë të gjitha propozimet nga ana e Serbisë për t’i ruajtur veprimet e tyre konfidenciale por të rrezikshme, në të cilat kanë hyrë krye më vete, pa dijen, pa pëlqimin, pa zyrtarizimin dhe pa njohuritë paraprake të organeve shtetërore vendimmarrëse, duke i shtyrë deri në momentin e fundit, duke ua imponuar vendimet, siç thuhet, në minutat e fundit për t’i sjellë në mat-pozicion sipas regjisë së tyre, duke e përfshirë edhe organin legjislativ, Parlamentin, duke e sjellë në një pozitë të paalternativë.
Sipas reagimeve të liderëve të partive politike, secili nga ata i shpalos “argumentet e veta të pakontestuara” sipas tyre, ani pse nuk mund të ekzistojnë dy të vërteta. Mund të ekzistojnë dy të pavërteta, por vetëm një e vërtetë, e ajo është vetëm në favor të popullit, por siç thuhet, për dikë në fund do të jetë shumë e hidhur.
Gjykata Kushtetutë-diktuese, qëllimisht dhe në marrëveshje tripalëshe Vuçiq-opozitë-Edwin Kristaq Rama (ky i fundit fshihet si skuthi), i cili, fshehurazi si gjithmonë, i mban lidhjet e këtij trekëndëshi famkeq për t’ia arritur qëllimit për t’i mundësuar rikthimin në pushtet opozitës përmes Listës serbe, e cila, sipas vendimit skandaloz të kësaj gjykate, e cila, pas dështimit të tretë, të drejtën do t’ia japë opozitës, e ajo përmes partneritetit 20-vjeçar me Listën serbe, t’ua sigurojë pushtetin, por me çmim shumë të lartë — të pamundësimit të funksionimit të shtetit. Me siguri se do ta votojë opozitën dhe t’i sigurojë ardhjen në pushtet, ndërsa ata të rikthehen në veriun e Mitrovicës.
Askush nuk mund t’ia ndalojë kësaj organizate terroristo-kriminale, plus Duda Balë me klapën e saj dhe miqtë e dostat e babait të saj, ish-bashkëpunëtorë të Arkanit.
Popull im i dashur, i nderuar e i respektuar. I vuajtur e i nëpërkëmbur nëpër shekuj nga armiku ynë shekullor, fatkeqësisht, i cili në momentet kritike për të ardhmen tuaj, gjen bashkëpunëtorë të pafytyrë e pa ndjenja ndaj kombit, atdheut e familjes, për një grusht pushtet e lekë, aq lehtë kalojnë në anën e fashistit e gjakpirësit, duke u shërbyer me parulla stereotipe me rrezik të lartë, duke deklaruar gjoja në interes të Bashkësisë Ndërkombëtare për t’ua plotësuar kërkesat e tyre të cilat nuk janë në përputhje me interesat e vendit, pasi nuk e kanë guximin t’u kundërvihen me argumente në mungesë të dijes, moralit dhe pastërtisë dhe argumenteve për t’i bindur se këto që pala tjetër, ajo serbe, po insiston, janë të rrezikshme për paqen, sigurinë dhe prosperitetin. Serbia i ka futur në lojëra komprometuese antishtetërore e antikombëtare, të cilët nuk e kanë guximin t’i kundërshtojnë, sepse kundërshtari e xhelati me kujdes i ka përpiluar dhe ruajtur faktet.
Jemi para një akti të kryer, nëse ju, në cilësinë e sovranit, përmes votës suaj të cilën e keni dhënë aty ku duhet, por, sipas disa të dhënave, në momentin kur sistemi zgjedhor ra, me ndërhyrjen e inteligjencës ruse e serbe, partia fituese arriti 42% apo shndërruar në numër të deputetëve 48.
Siç shkroi një gazetar i cili i referohej një mbikëqyrësi ndërkombëtar të zgjedhjeve, ai i jep këto rezultate: VV-ja, 55,77%, PDK-ja, 25%, LDK-ja 8.9% dhe AAK-ja, 6%. Masat e tubuara në vendvotime dhe pjesëmarrja në votime, me theks të veçantë nga Mërgata, e shtyu Kurtin nën emocione, por në mënyrë të gabuar, u shpreh me një fjalor të papërshtatshëm duke i quajtur kundërshtarët e tij “hajvana”. Dorën në zemër, nëse ju kujtohen sharjet me nanë ndaj tij në Parlament, ishte një sjellje rrugaçërie.
Prandaj, kur dikush ia bën armikut me dorë duke e thirrur vetë, pa presion, që të vijë në shtëpinë e tij, aty fshihet një e zezë e madhe, e cila mbështillet me shallin e turpit, të tradhtisë dhe të poshtërimit pas asaj që keni përjetuar para 25 vitesh. Ky është niveli më i ulët e i turpshëm, duke u shitur shumë lirë, i cili sillet, përpos atij të interesit edhe të frikës së moszbulimit për krime, korrupsion, hajni megalomane, edhe ajo më e rënda dhe e patolerueshme — bashkëpunim me armikun, duke i harruar krimet e gjenocidin në të kaluarën e afërt dhe shndërrim në aktin e tradhtisë vetjake të papranueshme dhe të padurueshme.
Këtu është sajuar një strategji e gjerë e gjithëpërfshirëse duke i mobilizuar të gjitha mediat, portalet e televizionet e kontrolluara dhe financuara nga oligarkët e brendshëm dhe disa nga mërgata. Këtu duhet përfshirë edhe ish-përfaqësues ndërkombëtar, tani të njohur për opinionin që, për fatin tonë e fatkeqësinë e tyre, përpos dokrrave e deklaratave bombastike e boshe, asgjë më tepër. Fati, definitivisht, është në duart tuaja nëse nuk bini në kurthin e atyre të cilët po ia bëjnë vetit, shtetit dhe popullit.
Një gjë mund t’ju premtoj se, për tri dekada e gjysmë kam lobuar kundër Serbisë dhe aleatëve të saj në mënyrë shumë të suksesshme përmes Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane apo Lobit Shqiptar në SHBA, tani do të loboj kundër atyre të cilët po punojnë për ta kthyer Serbinë në veri, e cila, apetitet e saj shekullore i ka për okupimin e Dardanisë, të Shqipërisë dhe daljen në Adriatik — strategji ruso-serbe e përpiluar me shekuj.
Mos u shqetësoni, do t’ua ndërrojmë profilet e atyre të cilët i kanë mbuluar të kaluarat e tyre, e kjo mjafton që në këtë shtet mik dhe shpëtimtar, nuk do të munden të depërtojnë deri në pafundësi, ku, sipas nevojës dhe zbulimit të të vërtetave, të vazhdohet me zgjerimin e numrit të personave “non grata” të cilët paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të këtij shteti si bashkëpunëtorë me armiqtë e tij. Të jeni vigjilentë pa ndërprerë, të keni kujdes nga lufta hibride dhe dezinformatat të cilat janë në vlugun më të madh, duke krijuar huti përmes inteligjencës artificiale dhe propagandës së shtuar.
Unë e kam besimin e plotë se, me gjithë tentimet propagandistike, presionet dhe shantazhet, do të dilni fitimtarë kundër të gjithë armiqve të brendshëm dhe të jashtëm.
Hsfiz Shala
New York
12 gusht 2025