A do të jetë posti i Presidentit çelësi për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme?
Kuvendi i Kosovës po përballet me një nga ngërçet më të thella politike të viteve të fundit.
Ajo që dikur konsiderohej si një procedurë krejtësisht e thjeshtë ligjore u shndërrua në një problem të madh politik, duke e futur vendin në një rrugë pa krye.
Krejt kjo, për shkak të inateve politike përkatësisht mospajtimit të partive që u radhitën pas Vetëvendosjes në zgjedhjet e 9 shkurtit me propozimin që Albulena Haxhiu të jetë kryetare e Kuvendit.
Plot 54 herë u tentua që të konstituohet legjislatura e nëntë, derisa dështimi i plotë kulmoi mbrëmjen e 26 korrikut për t’i lënë rrugë paqartësive e amullisë deri më 8 gusht.
As prezenca e ambasadorëve të QUINT-it nuk i “ngushtoi” deputetët që të zbusnin qëndrimet e tyre e të gjenin zgjidhje për ngërçin e krijuar!
Me një qeveri në detyrë, e me një kuvend të pakonstituuar, vendi është futur në një paralizë institucionale.
Por, se a do “t’iu bëhet vonë” partive parlamentare për situatën e krijuar mbetet të shihet deri më 8 gusht, kur edhe skadon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Deri atëherë, palët politike do të duhej të ishin nën presion të lartë për të gjetur një zgjidhje që do ta nxjerrë vendin nga ky bllokim. Por, ndoshta ato preferojnë zgjedhjet më shumë sesa zgjidhjen, ku i dihet!
Janë gati dy javë në dispozicion që partitë politike të ulen dhe të merren vesh për qeverisjen e ardhshme, gjithnjë nëse kanë vullnet (Që sigurisht nuk e pamë gjithë këta muaj).
8 gushti mund të shërbejë si pikë kthese, nëse liderët politikë arrijnë të lënë pas retorikën përjashtuese dhe të hyjnë në dialog të sinqertë për konstituimin e Kuvendit.
Pse jo, të mos arrihet një koalicion qeverisës në të mirë të shtetit e të popullit. Nuk besoj që qytetarët do të donin që Kosova të kishte një pushtet absolut. Kosova e Ibrahim Rugovës është ithtare e pluralizmit politik dhe është identifikuar gjithmonë me të!
Një skenar me zgjidhje politike apo marrëveshje ndërmjet shumicës e pakicës do të sillte stabilitet të brendshëm, duke e përmirësuar edhe pozitën ndërkombëtare të shtetit në sfidat integruese, që si duket kjo klasë politike i ka lënë në harresë që një kohë të gjatë.
Nga ana tjetër, nëse deri më 8 gusht nuk arrihet një marrëveshje politike, vendi rrezikon të futet në një situatë pasigurie. Kjo pasi Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon bllokime të përhershme të institucioneve. Si rrjedhojë, mund të hapet rruga për shpërndarjen e Kuvendit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja, duke e rikthyer vendin në fushatë dhe duke i shtyrë edhe më tej proceset. Shto këtu edhe faktin që më 12 tetor mbahen edhe zgjedhjet lokale!
Sipas juristëve nëse ngërçi merr përmasa më të thella, Gjykata Kushtetuese mund të detyrohet të ndërhyjë me interpretim për pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit pas përfundimit të masës së përkohshme.
Në këtë situatë do të duhej të merrte rol edhe faktori ndërkombëtar – veçanërisht BE dhe SHBA, duke intensifikuar përpjekjet ndërmjetësuese për të shmangur një krizë më të thellë politike.
Mbase, një marrëveshje e paraprake edhe për postin e presidentit të ardhshëm do ta ndryshonte krejt lojën. Kjo pasi mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon në prill të vitit të ardhshëm.
Dhe po, nuk është hera e parë që ndërkombëtarët kanë ndërmjetësuar për arritjen e koalicioneve qoftë për qeveri apo edhe presidencë.
Por, siç e thamë më lartë, gjithçka varet nga dëshira dhe vullneti i partive.
Afati i 8 gushtit konsiderohet si një test për pjekurinë politike në Kosovë.