TË FUNDIT

Murati, Hotit: Importi i mallrave nga Serbia sivjet mbetet afërsisht sa gjysma e vlerës që importohej në vitin 2017

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili shprehu shqetësimin për rritjen e importeve nga Serbia gjatë këtij viti, duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Hoti rikujtoi se gjatë vitit 2023 ishte në fuqi masa e sigurisë pas sulmit terrorist në Banjskë, çka kishte ndikuar drejtpërdrejt në uljen e shkëmbimeve tregtare me Serbinë.

Në një reagim në profilin e tij në Facebook, ministri Murati ka theksuar se krahasimi me vitin 2023 është i mangët dhe jo përfaqësues, pasi ai vit ishte i jashtëzakonshëm për shkak të zhvillimeve të sigurisë. Sipas tij, për një pasqyrë më të saktë, duhet bërë krahasimi me vitet normale të shkëmbimeve tregtare, si p.sh. 2017-ta – kohë kur Hoti vetë kishte qenë Ministër i Financave.

“Nëse krahasohet me vitin 2017, atëherë kur z. Hoti ishte Ministër i Financave, importet nga Serbia në vitin 2024 janë pothuajse të përgjysmuara. Kjo tregon qartë që nuk ka rritje të varësisë nga importet serbe, përkundrazi – ka një rënie të qëndrueshme afatgjatë,” ka deklaruar Murati.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, importet nga Serbia kanë pësuar rënie të ndjeshme që nga vendosja e taksës 100% në vitin 2018, dhe megjithë luhatjet sezonale apo ndikimet politike, ato nuk janë rikthyer në nivelet e mëhershme.

Ministri shtoi gjithashtu se Qeveria është e përkushtuar në promovimin e prodhimit vendor dhe orientimin e importit drejt vendeve që i respektojnë marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe parimet e reciprocitetit ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *