TË FUNDIT

Ndërrimi i kodit gjuhësor: Ja ku po vijnë ‘gërnaçët’, të armatosur me gjuhën e tyre ‘tralala’!

Të përmalluar për familjet dhe vendin e tyre, ‘gërnaçët’(mërgimtarët), verës, në mënyrë masive zbarkojnë në atdhe nga ajri e nga toka. Vijnë të çmallen, por, disa snobistë do të tallen fort me sjelljet e tyre, por, mbi të gjitha, me gjuhen e tyre. Do t’i stigmatizojnë jo nga njohja e realitetit socio-linguistik por nga injoranca. Megjithatë, ‘gërnaçët’ mbeten thellësisht shqiptarë me qenien dhe shpirtin e tyre, sepse shqiptaria historikisht ka qenë më e theksuar te mërgimtarët tanë të çmueshëm.

Edhe sivjet do të vazhdojnë t’i shajnë e mallkojnë, pse ata e bëjnë ndërrimin e kodit linguistik- (code-switching) gjatë bisedës, qoftë në mes tyre apo me vendasit. Do t’i përqeshin pse e kanë harruar gjuhën, se s’janë shqiptarë të vërtetë, dhe se kanë filluar ta bastardojnë gjuhën e shenjtë shqipe. Por a do të duhej t’i shikojmë ‘gërnaçët’ tanë me këtë qasje linguistike tradicionale apo do të duhej ta hulumtojmë e mësojmë këtë fenomen sociolinguistik që po u ndodh edhe kombeve tjera pa përjashtim. Ndërrimi i kodit te ne i atribuohet analfabetizmit, mungesës së edukimit formal ose mungesë e aftësisë së njërës apo të dy gjuhëve. Mirëpo, është vërtetuar se ndërrimi i kodit nuk është një fenomen arbitrar, por si diçka që ndodh dhe funksion gjithnjë e më tepër dhe në mënyra më të sofistikuara.

Ç’fare na qenka ky far ndërrimi i kodit?

Në linguistikë, “ndërrimi i kodit është praktika e alternimit midis dy ose më shumë gjuhëve ose varieteteve gjuhësore brenda një bisede të vetme”. Është një dukuri e zakonshme tek folësit dygjuhësorë ose shumëgjuhësorë, të cilët mund të kalojnë nga një gjuhë në tjetrën në varësi të kontekstit, situatës shoqërore, ose personit me të cilin po flasin.

Anglishtja për çdo ditë e më tepër po hyn në shtëpinë e secilit dhe bëhet gjuhë e përditshmërisë dhe kështu duke u shfaqur si një lloj gjuhe hibride “alnglish” (Albanin- English, sajim imi) po ashtu si në gjuhët tjera tani më të krijuara: Chinglish, kinezisht-anglisht, Hinglish, hindu- anglisht, apo Spanglish, spanjisht-anglisht. Dilemat ekzistojnë gjithandej në botën e linguistikës se a duhet të trajtohet ndërrimi i kodit si pjesë e disiplinës sociokulturore apo përtej sociolinguistikës

Gjate dyzetë e më shumë vjetëve të fundit studimi për ndërrimin e kodit është bërë një fushë shumë tërheqëse nga hulumtuesit. Ndërrimi i kodit ka tërhequr vëmendjen në fusha të ndryshme si nga sociolinguistika, antropologjia, mësimi i gjuhës, linguistika formale dhe psikolinguistika. Kur flitet për ndërrimin e kodit, për referencë po ashtu merren ngjarjet historike, duke përfshirë këtu periudhat para dhe pas luftërave botërore, aktivitetet misionare dhe okupimet koloniale.

Ndërrimi i kodit definohet si përdorim i dy ose me shumë gjuhëve në biseda apo me shkrim. Ky është një fenomen natyror që shfaqet ne mesin e folësve dygjuhësorë ose shumë gjuhësor. Porse hulumtimet në këtë fushë kanë qenë të gjera gjatë pesë dekadave të fundit. Termi ndërrimi i kodit po ashtu i referohet alterimit të kodit, alternimi gjuhësor, përzierja e kodit e kështu me radhë.

Në 1983, Carol Myers-Scotton e identifikon ndërrimin kodit e si një “përdorim i dy ose me shumë varieteteve linguistike në të njëjtën bisedë apo bashkëveprim”. Ndërrimi i kodit është një modifikim i gjuhëve që shfaqet gjatë bisedave, ku pjesëmarrësit kanë së paku një gjuhë të përbashkët.

Lind pyetja, pse e bëjmë këtë ndërrim të kodit? Shkaqet për ndërrimin e kodit janë të llojllojshme. Haugen thotë se “presioni linguistik” që do të thotë se emigrantëve u duhet gjuha e huaj sepse u duhet qe në ambientin e ri të mbijetojnë dhe kjo nuk varet vetëm për shkak kushteve politike apo sociale. Sepse një gjuhë mund të ketë fjalë më të përshtatshme se tjetra sipas disponimit tuaj momental për të shprehur një ide të posaçme. Por disa herë ne e bëjmë ndërrimin e kodit, sepse fjalorin e një gjuhe e kemi më të gatshëm dhe më në dispozicion se gjuhën tjetër. Por, gjithashtu mund të ndodhë kur një gjuhë e preferojmë dhe jetojmë më tepër se me tjetrën. Ndonjëherë e bëjmë ndërrimin e kodit me qëllim të pranojmë apo përjashtojmë dikë ne bisedë. Dhe kjo ndodh shpesh në bashkëveprimet e përditshme gjuhësore.

Studimet e fundit të psikolinguistikes pohojnë se ndërrimi i kodit është një produkt natyral i bashkëveprimit të dy gjuhëve të bilingualit-personit që flet dy gjuhë. Se cila gjuhë përdoret më shpesh, atë që e kanë mësuar me të parën apo të dytën, kjo s’ka rëndësi, por ajo e cila është më aktivja luan rol primar. Prandaj, s’është çudi kur shqiptaro-amerikanët, edhe pse gjuhë amtare e kanë shqipen, komunikojnë më mirë në anglisht dhe po ashtu bëjnë më pak ndërrim të kodit në anglisht dhe më shumë në gjuhën e tyre amtare. Por ndërrimi i kodit varet nga shumë faktorë që janë ngushtë të lidhur si; sa shpesh përdoret njëra gjuhë, dhe dendësia e fjalëve që përdoren shpesh në njërën gjuhë, etj.

Ndërrimi i kodit si shenjë respekti

Duke qenë se shqiptaro-amerikanët janë mjaftë fisnikë me të huajt, kjo është edhe traditë, ata ndërrojnë kodin kur një i ri vjen në rrethin e tyre apo në shoqërinë e tyre qoftë edhe me një përshëndetje. Këtë e bëjnë edhe me hispanikët që një numër i konsiderueshëm shqiptaro-amerikanësh e flasin edhe gjuhën spanjolle. Ndërrimi i kodit po ashtu ndodh kur dy shqiptarë flasin në shqip dhe u bashkëngjitet një anëtar i komunitetit tjetër, atëherë ata e ndërrojnë gjuhën ose në gjuhën respektive të personit apo në gjuhën dominuese, anglisht. Ndërrimi i kodit po ashtu është një shenjë respekti dhe ndodh me personat që punojnë bashkë, p.sh. shqiptarët do të tentojnë të flasin në gjuhën spanjolle për çështje pune edhe pse që të dy bashkëbiseduesit komunikojnë në anglisht. Po ashtu përshëndetjet reciproke në gjuhët e personave përkatës bëhen për shkak intimitetit gjegjësisht respektit. Pasi që shqiptaro-amerikanët janë tolerantë ndaj religjioneve, ata me kujdes dhe respekt ua urojnë bashkëbiseduesve të tyre festat fetare apo kombëtare në gjuhët e tyre respektive. Ndërrimi i kodit po ashtu ndodh për shkaqe të solidaritetit. Shumë shqiptaro-amerikan që s’e flasin shqipen, ata në momente të posaçme do të përshëndesin në shqip ose në anglisht do të tregojnë se janë shqiptarë dhe kjo për shkak të nderit dhe identitetit. Po ashtu, shqiptaro-amerikanët ndërrojnë kodin kur këndohet në një gjuhë tjetër e ata në mënyrë solidare apo respekti u bashkangjiten në gjuhën përkatëse. Ndërrim i kodit po ashtu ndodh kur dy bashkëbisedues janë kolegë si mjekë, inxhinierë apo pacientë. Ndërrimi i kodit po ashtu bëhet për çështje ndjenje, simpatie, ngushëllimi e tjerë. Por kjo bëhet edhe në moment frustrimi, grindje, urrejtje, hakmarrje etj. Siç shihet, gjithë ky ndërrim kodi bëhet për një qëllim efektiv në një situatë të caktuar. Pra, ndërrimi i kodit mund të influencohet nga shumë faktorë pragmatikë, sintaksorë, semantikë, sociopsikologjik dhe faktorë sociologjik.

Aspekti i simpatisë ndaj SHBA-ve por edhe Mbretërisë së Bashkuar si motiv shtesë për të mësuar anglishten dhe më shumë

Në shumë vende të botës gjuhët nikoqire janë dominante dhe ndodh që emigrantë të caktuar i shikojnë ato me dyshim, armiqësi dhe fobi. Kështu, emigrantët meksikan shpesh e shajnë gjuhën angleze dhe amerikan folësit e saj. Kjo ndodh për shkak të së kaluarës së tyre historike, konflikteve etj. Ky fenomen nuk ndodh me shqiptarët. Siç kemi theksuar më lartë, Amerika krahë hapur i priti shqiptarët i ndihmoi jo vetëm ata por edhe vendet e tyre të origjinës, njëherë Shqipërinë dhe pastaj Kosovën. Shqiptaro-amerikanët, si mirënjohës ndaj Amerikës, e kanë pasion gjuhën e tyre (angleze) dhe e përdorin pa rezervë dhe me krenari. Anglishtja për shqiptaro-amerikanët nuk është gjuhë sunduese, gjuhë e diskriminimit, apo një gjuhë e imponuar politikisht. Përkundrazi, është një gjuhë që atyre u jep liri të pakufizuara të shprehjes, ata aty e kanë gjetur veten më mirë se kudo në botë andaj edhe gjuha nikoqire që ata e flasin, e bëjnë këtë me pasion, dashuri dhe simpati. Shqiptarët me krenari e flasin gjuhën angleze (gjuhen zyrtare në SHBA) që ky vend u mundësoi atyre të botojnë aq shumë gazeta në anglisht e shqip për më shumë se një shekull.

Kjo mundëson që shqipja dhe anglishtja të bashkëjetojnë në këmbimet reciproke alternative përmes ndërrimit të kodit. Ndërrimi i kodit në mesin e shqiptaro-amerikanëve është si rrjedhim i shumë faktorëve, shqipja luan rol dytësor dhe anglishtja mbetet dominante gjatë fenomenit sociolinguistik të ndërrimit të kodit në SHBA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *