Tomë Gashi komenton deklaratën e Kurtit për PDK-në dhe ‘liderët’ e saj në Hagë – ja çka thotë
Avokati Tomë Gashi ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhënë në emisionin “Këndi i Debatit”, ku u përmendën vizitat e shpeshta të zyrtarëve të PDK-së në Hagë dhe “ndikimi” i ish-krerëve të kësaj partie në zhvillimet politike.
Sipas Gashit, ajo çfarë Kurti tha nuk ishte akuza direkte, por konstatim politik, që duhet parë në kontekstin e gjuhës që përdoret në debatet publike.
“Albin Kurti në emisionin e juaj ka bërë konstatime dhe kurrfarë akuzash, pa marrë parasysh nëse dikush mundet me pa deklarimin e tij jo edhe aq të mirë”, deklaroi Gashi.
Ai shtoi se ka shikuar disa herë intervistën dhe, sipas tij, Kurti aludon më shumë në vizitat e shpeshta të zyrtarëve të PDK-së në Hagë dhe mungesën e një udhëheqësie të qartë brenda partisë, sesa që bën akuza konkrete për dhënie instruksionesh nga të paraburgosurit.
“Unë mendoj se ato kanë qenë konstatime të tij, e kam parë disa herë do të thotë janë aludime për vizita të shpeshta, sepse në mënyrën se si e ka thënë që në PDK sipas tij nuk ka një kryetar, por janë disa, janë dy, tre, katër, pesë, dy apo më tepër ose më pak dhe që vizita të shpeshta ka nga zyrtarët e PDK-së në Hagë më tepër nëse ma gjen që ka thënë në emisionin e juaj, atëherë ose po i bie që unë se kam parë mirë ose unë s’kam dëgjuar mirë”, tha Gashi.
Deklarata e Kurtit mbrëmë ka ngjallur reagime të shumta, përfshirë reagime të ashpra nga Nasim Haradinaj dhe përfaqësues të PDK-së, të cilët e kanë konsideruar deklaratën si të papërgjegjshme dhe të dëmshme për të paraburgosurit në Hagë.