Kujt i pengoi heqja e barrikadave?
Në veri të Kosovës ka elemente ekstreme, që nuk janë nën kontrollin e Beogradit zyrtar, dhe atyre nuk u konvenon heqja e barrikadave që u ngritën në atë zonë, vlerëson politologu Ognjen Gogiq nga Mitrovica e Veriut.
Një shenjë e kësaj, sipas tij, është nisja me vonesë e largimit të barrikadave.
Grupe serbësh në veri kanë mbajtur të bllokuara disa rrugë që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, për gati tri javë. Ata i janë përgjigjur kështu arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, nën dyshimet për sulm ndaj disa zyrtarëve kosovarë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili i ka mbështetur barrikadat, ka thënë mbrëmjen e 28 dhjetorit se ato do të hiqen “për 24 orë ose 48 orë”, pasi ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar, se kërkesat e serbëve që kanë bllokuar rrugët, do të plotësohen.
Largimi i barrikadave, megjithatë, nuk ka nisur deri pasditen e 29 dhjetorit dhe, ndërkohë, janë djegur edhe dy kamionë që kanë bllokuar rrugën te lokacioni i njohur si Shkëmbi i Dudës, në Mitrovicë të Veriut.
giq: Disa elemente në barrikada nën kontroll të Radoiçiqit, jo Vuçiqit
Gogiq thotë se këto zhvillime, bashkë me afatin 48-orësh të Vuçiqit, janë shenja se presidentit serb i duhet kohë, pasi “ka probleme me kontrollin e situatës” në veri të Kosovës, ku popullatën shumicë e përbëjnë serbët.
Gogiq thotë se ekzistojnë grupe që nuk janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtar, por marrin instruksione nga disa “njerëz të pushtetshëm në Kosovë”.
“Sipas njohurive që kam, duket se Millan Radoiçiq ka një rol të pavarur dhe se ai po lufton për pozitën e tij në Kosovë. Ndonëse, ditë më parë, janë fotografuar bashkë [Vuçiq dhe Radoiçiq] dhe ai u paraqit në disa tubime ku ishte edhe Vuçiqi, marrëdhëniet e tyre nuk janë më të mirat. Mendoj se aty ekziston lufta për epërsi. Në disa momente është dukur sikur Vuçiqi është përpjekur të lirohet nga Radoiçiqi. Në anën tjetër, Radoiçiq po përpiqet të ruajë pozitën e tij relevante. Unë mund të supozoj se elementet rreth barrikadave, që nuk kanë qenë nën kontrollin e Beogradit, janë pikërisht njerëz të Millanit”,thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.
Millan Radoiçiq është aktualisht nënkryetar i Listës Serbe, e cila njihet si partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Zyrtarë të kësaj partie janë parë në vazhdimësi afër barrikadave në veri.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Listës Serbe me pyetjen se a ka dallime në qasje brenda këtij subjekti politik, lidhur me vendimin për heqjen e barrikadave, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Maliqi: Vuçiq po krijon alibi
Agon Maliqi, njohës i proceseve politike në Kosovë, thotë se në veri të vendit ka elemente ekstreme, por, siç thotë ai, gjatë javëve të kaluara, është parë që Beogradi zyrtar ka kontroll të plotë mbi to.
Sipas tij, barrikadat janë vendosur nën dirigjimin e Beogradit zyrtar dhe ato largohen, po ashtu, me urdhër prej atje.
Mospajtimi i disave në veri të Kosovës me heqjen e barrikadave, thotë Maliqi, i krijon Vuçiqit alibi për politikën e tij të mëtejshme.
“Është një pretekst i mirë për Vuçiqin, për ta penguar ecjen përpara në proceset e mëtejshme, sidomos të dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën] – kjo alibi se aty ka elemente që ndoshta nuk do t’i dëgjojnë urdhrat e tij. Aty mund të ketë serbë që janë të interesuar për masa më ekstreme, por unë dyshoj shumë që Beogradi e ka të pamundur t’i disiplinojë ata. Së dyti, në rast se kjo është e vërtetë, atëherë Beogradi, thjesht, nuk mund të jetë palë garantuese për asgjë dhe as për marrëveshjen përfundimtare [me Kosovën]”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Si e komentojnë disa qytetarë të anketuar në veri të Kosovës heqjen e barrikadave?
Garanci që “amniston kriminelët”?
Pas takimit që zhvilloi me disa përfaqësues të serbëve të Kosovës, mbrëmjen e 28 dhjetorit në Rashkë, Vuçiq tha se ka marrë garanci nga SHBA-ja dhe BE-ja se kërkesat e protestuesve serbë që mbajtën të bllokuara rrugët, do të plotësohen.
Nga komuniteti serb në Kosovë nxorën tri kushte: lirimin e Pantiqit, garanci se njerëzit që ishin në barrikada, nuk do të ndiqen penalisht, dhe garanci se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk do t’i lejojë forcat speciale të Kosovës të hyjnë në veri të Kosovës.
Masa e paraburgimit prej 30 ditësh për Pantiqin u zëvendësua më 28 dhjetor me arrest shtëpiak.
Gogiq thotë se deklarata e Vuçiqit lë të kuptohet se as personat që kanë kryer vepra kriminale, nuk do të ndiqen.
“Kjo do të thotë se edhe aktivitetet e rregullta të policisë për ruajtjen e sigurisë dhe luftën kundër kriminalitetit, ata [grupet e serbëve] mund t’i shpallin si terror të Prishtinës dhe sërish të dalin në barrikada. Kjo do të thotë se në këtë mënyrë formohet vakum i sigurisë”, thotë Gogiq.
Garancia se askush nuk do të ndiqet penalisht në veri të Kosovës, të cilën e përmendi Vuçiq, sipas analistit Agon Maliqi, është një lloj amnistie për personat me vepra kriminale.
Në këtë mënyrë, shton ai, mungesa e çfarëdolloj kontrolli efektiv të institucioneve të Kosovës në veri të vendit, bëhet zyrtare.
“Kjo është heqje dorë prej ushtrimit të funksionit të sigurisë në veri, në një kohë kur atje strukturat e caktuara pretendojnë se nuk marrin urdhra as nga Beogradi. Është krejtësisht e qartë se atje [në veri], në këtë kontekst, sundon Qeveria e Beogradit dhe ka kontroll efektiv mbi territorin”, thotë Maliqi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar shkurtimisht nisjen e largimit të barrikadave, tha se “vetë i vunë” dhe “vetë i hoqën”.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë paraprakisht se janë duke punuar me Kurtin dhe Vuçiqin, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.
Serbia, që nga koha e pasluftës më 1999, mbështet strukturat e saj paralele në veri të Kosovës.
Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje, zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur./REL