A do ketë ‘lëvizje të reja’ politike? Analistët tregojnë nëse ka deputetë të opozitës që do e votojnë Albulena Haxhiun
Derisa ngërçi politik po vazhdon, partitë politike nuk duket se janë drejt ndonjë marrëveshje politike.
Po bëhen gati katër muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlametare të 9 shkurtit, derisa të zgjedhurit e popullit nuk po votojnë pro konstituimit të Kuvendit.
Partitë politike nuk po arrijnë t’i lënë anash inatet personale, për të vazhduar tutje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Ligjbërësit refuzuan për disa herë rresht ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post – është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Në këtë pikë, së fundi janë shtuar zëra se ka deputetë të partive të tjera, që do e votonin kandidatën e LVV-së, Albulena Haxhiun për kryeparlamentare të Kuvendit, por këtë do e bënin vetëm me votim të fshehtë.
E për këtë, thuhet se LVV po insiston për votim të fshehtë.
Por, sa ka gjasa të ndodhin këto ‘lëvizje politike’, pra që deputetë të caktuar ta votojnë Haxhiun, folën analistët politik.