OPINIONTË FUNDIT

Veprimtari nga Gjermania i bën thirrje LDK-së: A më mirë me partitë e akuzuara për ekzekutimin e dhjetra FARK-istëve apo me Vetëvendosjen?

Publicisti dhe veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për ‘Bota sot’ ka komentuar deklarimet e zyrtarëve të LDK-së së fundmi. Ai thotë se arsyetimet e tyre për të mos bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje nuk qëndrojnë.

Sipas tij, LDK-ja disa herë ka shkelur edhe premtimet për të mos qeverisur me PDK-në.

“Nuk qëndron arsyetimi se, kinse, Lidershipi i LDK-së i ka premtuar anëtarësisë, respektivisht, votuesve për të mos bërë koalicion me LVV. Një premtim i tillë ka qenë për PDK-në, por është shkelur disa herë, duke e bërë LDK-në bisht e patericë të LDK-së A mund ta marrë LDK-ja pushtetin e vetme? Jo. Atëherë, do të mbetet opozitë e përjetshme! A më të pranueshme janë subjektet politike të koalicionuara në PAN, të akuzuara bazike për ekzekutimin e dhjetra FARK-istëve luftëbërës të Ibrahim Rugovës dhe të qindra veprimtarëve dhe aktivistëve cilësorë të LDK-së apo LVV, e cila nuk ka mëkate të tilla”, thotë Zeqiraj.

ImageIdriz ZeqirajFoto galeri
Ai thotë tutje se, skena politike në Kosovë, është e kontaminuar, toksike. Të vetmet janë dy subjektet politike: LDK dhe LVV me aleatë Alternativa e Guxo, të cilat, deri me tani, nuk janë të kriminalizuara.

“Shembull faktik: krahasoni listat e kandidatëve për deputetë të LDK-së dhe LVV, me listat e subjekteve politike të PAN-it! Dhe, komentet janë të tepërta. Pikërisht, për këtë Kurti ka përzgjedhur LDK-në, duke e përsëritur kërkesën për koalicion e bashkëqeverisje, si mundësi të vetme për të mos helmuar Qeverinë e tij. Andaj, është koha për reflektim të opozitës PAN, rrastë të inkriminuar, të spastrojnë partitë e tyre nga elementë masiv kriminalë dhe të mos pretendojnë pushtetin, deri sa nuk bëjnë reformim të thellë, ose më saktë, riformim të pranueshëm për popullin e Kosovës”, vlerëson ai.

Zeqiraj thotë poashtu se propozimi i bërë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për koalicion të partive nacionale shqiptare, gjithëpërfshirëse, të Kosovës, është lapsus i skajshëm dhe provokim i rëndë, jo vetëm për LDK-në, por edhe për popullin dhe shqiptarët e përbotshëm.

“Nuk mund të quhen nacionale vetëm pse flasin shqip, ndërsa bashkëpunojnë me Serbinë, për të rrëzuar nga pushteti partinë, e cila punon e lufton për mbrojtjen e sovranitetit tërësor të Republikës të Kosovës, për çka edhe votohet më shumësi absolute, nga populli i saj dhe admirohet nga shqiptarët e kudondodhur. Propozimi i kryetar Lumirit, për t`u koalicionuar me PAN-in, i cili ka përgjakur LDK-në dhe Kosovën, është një provokim i rëndë, për vetë anëtarësinë e LDK-së dhe shqiptarët anepërtej Globit. Dyshoj fort të jetë një forcë e jashtme, e cila e cytë, me presion, Kryetarin në lajthitje!?

Lidershipi i ri i LDK-së, i nismoi, por nuk i përfundoi reformat. Deri diku i mirëkuptoj, sepse ishin pjesë i një faji të madh, u zvarritën pas shefit Isë, të katapultuar në krye të LDK-së nga PDK-ja, duke e bërë Hashimin president! Edhe pse ishte një amanet i Rugovës, që “ai të mos lejohet të ngritët në pozitë, sepse është i dëmshëm për Kosovën!” Dhe, vërtet ishte në shërbim të dy shteteve armike të Kosovës dhe të qeverie, gjithashtu! Kjo po i hakmerret sot, Kryetarit dhe LDK-së, por, edhe Kosovës, ngaqë konformizmi ishte trashur”, thotë ai.

Tutje, Zeqiraj thotë se mjerisht, në strukturat e LDK-së, vazhdojnë të jenë argatët e PDK-së. Ata nuk e fshehin preferencën e tyre për koalicionin e serishëm me PAN-in, sidomos me PDK-në. Dhe, këtë lakmi nuk e kanë fshehur, madje, së fundi edhe kanë vepruar haptazi, duke dëmtuar dhe sabotuar, qëllimshëm, Lidershipin e ri. Dhe, me gjithë punën e madhe dhe fushatën voluminoze e dinjitare, të bërë nga kryetar Lumiri, me ekipin e tij, nuk arriti qëllimin e synuar.

“Realisht, parti e dytë e mirëfilltë e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, është LDK-ja. Sepse, PDK-ja, me simotrat në koalicion, ka krijuar klientelë elektorale nga: shumësia e nëpunësve shtetërorë; anëtarësia e organizatave ilegale kriminale, të krijuara gjatë luftës; armata prej 45.500 veteranëve të rremë, plus familjarë, farefisni e miqësi të tyre, garantojnë zvarritjen në politikë të partive-banda!

Tendenca e kthimit në pushtet të “komandantëve” mujsharë, me dosje të bollshme penalizuese, do të ishte vazhdim i një drame me shumë akte. Ndërsa çështja e ndërrimit të kandidats/it për kryetar të Kuvendit, nuk është, thjeshtë, teknike. Përkundrazi, ngulmimi i partisë fituese, Vetëvendosjes, për ta mbrojtur propozimin fillestar, është thellësisht i drejtë, parimor dhe plotësisht ligjor. Ndryshimi i kandidaturës, do të ishte lëshimi i parë fatal, që do t`i bëhej krimit në Kosovë”, nënvizoi Zeqiraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *