Deputetja e PDK-së për tragjedinë në Prishtinë: Festimin dhe Rinën i kam njohur, por dhunën…
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra në një postim të saj në Facebook ka shkruar rreth rastit tragjik që ndodhi sot në Prishtinë, ku mbeti një person i vdekur.
Ajo shkruan se qiftin e ka njohur kohë më parë, ndërsa ngjarjen e sotme e quan të rëndë, tronditëse dhe të papranueshme.
Postimi i plotë:
Festimin e Rinën i kam njohur që nga fillimet. Që në ditët e para kur hapën studion, e cila nuk ishte thjesht një hapësirë mode, por një vend i krijimtarisë, pasionit dhe përkushtimit. Kam pasur rastin të vishem disa herë me kreacionet e tyre, veshje që mbartnin histori, që përçonin shpirtin e një pune të bërë me dashuri për çdo detaj.
Ngjarja e sotme është e rëndë, tronditëse dhe e papranueshme. Dhuna nuk ka justifikim. Çdo akt i tillë është plagë për shoqërinë tonë, dhe përgjegjësinë për t’i thënë ndal e kemi të gjithë.
Më vjen keq për përfundimin tragjik të një jete që dikur krijonte mrekulli. Shërim të plotë dhe të shpejtë për Rinën.