Pse po abstenon Nisma?”/ Gazetari i medias gjermane hedh dyshime për ‘planet’ e Limajt…
Gazetari i medias gjermane, Deustche Welle, Bahri Cani ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me konstituimin e Kuvendit.
Ai në një shkrim në Facebook komentoi abstenimin që Nisma po ia bën kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.
E këtë abstenim, Cani nuk po e kupton.
“Por atë që nuk po kuptoj është, pse Nisma nuk po e voton Albulena Haxhiun? Cili është kalkulimi i Nismës? A nuk tha vetë Fatmir Limaj se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë, pra edhe me zotin Kurti, “për hirë të interesave nacionale”. Apo “interesat nacionale” akoma nuk janë përputhur me interesat personale? Apo kanë edhe ata diçka kundër Albulena Haxhiut? Apo po pret se mos eveeeentualisht LDK, PDK dhe AAK po i bëjnë numrat për qeveri dhe t’u bashkangjitet atyre në “mbrojtjen e interesave nacionale””, shkroi gazetari, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Pse po abstenon Nisma?
Të gjitha partitë, pozitë dhe opozitë, minoritete dhe serbë, ndoshta edhe mund të kuptohen, ndonëse me siguri jo edhe të pëlqehen dhe të arsyetohen. Por nuk mund të kuptohet sjellja e tre deputetëve të Nismës, të prirë nga Fatmir Limaj. Pse po abstenojnë?
Sjellja e Vetëvendosjes ndoshta edhe mund të kuptohet, sepse nuk do të heqë dorë nga gruaja më e votuar në zgjedhje (Albulena Haxhiu) dhe nuk do t’i nënshtrohet kërkesave të partive të tjera. Sjellja e partive deri tani në opozitë PDK, LDK dhe AAK po ashtu mund të kuptohet ndoshta, sipas motos nëse ata nuk i kanë numrat, atëherë pse t’ua bëjmë ne votat kur VV nuk po do kurfarë kompromisi?!
Të kuptueshme janë madje edhe votat kundër të deputetëve Duda Balje dhe Adem Hoxha, sepse janë të pakënaqur dhe të dëshpëruar. Ata i akuzuan së pari si njerëz të Radoiçiqit dhe nuk ua plotësuan kërkesat për ministri, poste e komuna.
E kuptueshme është madje, madje edhe sjellja e Listës Serbe, sepse ajo sillet mbase sipas motos – bone Zot llugë! Tekefundit, votat e tyre nuk po i do as VV dhe aleatët e saj.
Po them, këto qëndrime ndoshta mund të kuptohen, por me siguri që nuk janë të arsyeshme të gjitha.
Por atë që nuk po kuptoj është, pse Nisma nuk po e voton Albulena Haxhiun? Cili është kalkulimi i Nismës? A nuk tha vetë Fatmir Limaj se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë, pra edhe me zotin Kurti, “për hirë të interesave nacionale”. Apo “interesat nacionale” akoma nuk janë përputhur me interesat personale? Apo kanë edhe ata diçka kundër Albulena Haxhiut? Apo po pret se mos eveeeentualisht LDK, PDK dhe AAK po i bëjnë numrat për qeveri dhe t’u bashkangjitet atyre në “mbrojtjen e interesave nacionale”.
Të kuptohemi edhe një herë, po them që unë ndoshta i kuptoj, por nuk i arsyetoj sjelljet e asnjërës prej këtyre partive, sepse populli i ka zgjedhur ata të gjejnë zgjidhje dhe jo të bllokojnë Kuvendin. Kështu ndodh edhe në Gjermani, ku partitë e kritikojnë njëra-tjetrën gjatë fushatës dhe në fund thonë – sovrani ka vendosur kështu, ndaj hajde të gjejmë zgjidhje.