Reçak – historia e një krimi lufte” e ambasadorit William G. Walker promovim në vatrëne Nolit e të Konicës
Ambasador Walker, ju përshëndes zotëri – është vërtetë kënaqësi, ashtu si gjithmonë, që shihemi sot këtu në Vatër. Mua, duke qenë në praninë e Ambasadorit Walker, më bën të ndihem se për sa ka njerëz si z. Walker — në këtë botë të trazuar tonën — ka shpresë për njerëzimin. Të qenit në praninë e tij më rikthen besimin tek njerëzimi! Jemi të nderuar dhe të privilegjuar që ju kemi sot këtu me ne, ambasador Walker.
Zonja dhe zotërinj! Jemi këtu sot, për të promovuar një libër të mikut të madh të Kosovës dhe të kombit shqiptar, ambasadorit William Walker. Një libër që duhet lexuar nga çdo shqiptar, kudo. Një dëshmi e dorës së parë nga një diplomat amerikan — i cili i tregoi botës për krimet serbe kundër njerëzimit në një fshat të vogël të quajtur Reçak të Kosovës. Por, ne jemi këtu edhe për të shprehur mirënjohjen tonë për ambasadorin Walker.
Për ta falënderuar atë për vendimin e guximshëm që të shkonte në Reçak atë ditë të ftohtë janari, ku zbuloi masakrën e 15 janarit 1999, e ku forcat terroriste serbe kishin masakruar 45 civilë shqiptarë dhe më pas, përmes një konference për shtyp për shtypin vendas dhe botëror, Z. Walker denoncoi para botës atë që kishte parë me sytë e tij në Reçak, një “masakër” dhe “krim kundër njerëzimit”. Ambasadori Walker do të na thotë se vajtja e tij në Reçak atë ditë, ishte një ditë që jo vetëm ndryshoi jetën e tij, por ndryshoi përgjithmonë edhe të ardhmen e Kosovës dhe të Ballkanit.