Shqipëria e paraqiti Kosovën me fusnotë, publicisti reagon ashpër ndaj qeverisë së Ramës: Fat që nuk ka më shumë…!
Në Konferencën Rajonale të nivelit të lartë “Avancimi i Reformave në Kujdesin për Fëmijët: Eksplorimi i Kuadrit të Garancisë Evropiane për Fëmijët”, e organizuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, shteti i Kosovës është paraqitur me fusnotë.
Këtë e ka konfirmuar Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, i cili ka thënë se është detyruar të largohet nga konferenca që është mbajtur në Tiranë.
“Për shkak të mënyrës së papranueshme të përfaqësimit të Republikës së Kosovës me fusnotën e ‘Rezolutës 1244 të OKB-së’, një fusnote e kundërt me atë që përdor Bashkimi Evropian dhe e cila ne formë të tillë është tërësisht e papranueshme, dhe faktit që edhe pas disa kërkesave deri më sot nuk pati asnjë ndryshim qasjeje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, u detyrova të largohem nga konferenca dhe të mos e nënshkruaj deklaratën e parashikuar aty për nënshkrim nga mbi dhjetë shtete pjesëmarrëse”, ka shkruar Dobruna në profilin e tij në Facebook.
Lidhur me këtë çështje, publicisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, e ka vlerësuar veprimin e Dobrunës, duke thënë se ky i fundit ka fituar përkrahjen e të gjithëve.
Ai këtë veperim të Tiranës zyrtare, Shahu e ka quajtur denigrim për Kosovën.
ImageRexhep ShahuFoto galeri
“Agon Dobruna ka veptuar me dinjitet dhe ka fituar simpatinë e përkrahjen e të gjithëve. Qeveria Rama në Tiranë bëhet më katolikë se Papa dhe për qejfet e Serbisë e poshtëron dhe denigron Kosovën. Përfaqësuesi i Kosovës na bëri të ndjehemi krenar me reagimin e tij”, ka potencuar ai.
Gjithashtu, Shahu ka parashtruar disa pyetje për qeverinë shqiptare, e cila drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
“Qeveria e Kosovës duhet ta pyesë qeverinë e Tiranës a mos është penduar që e njeh Kosovën shtet. Ta pyesë qeverinë e Edi Ramës a e di se Gjykata Ndërkombëtare e ka njohur shtetin e Kosovës.
Apo me rastin e krijimit të qeverisë së re në Beograd qeveria e Tiranës fyen Kosovën për t’u dukur mike e qeverisë së re të Beogradit”, ka deklaruar ai.
Në fund, publicisti ka shtuar se qeveria shqiptare është sjellë si armike e Kosovës dhe se, me këtë veprim, janë cënuar interesat kombëtare.
“Shkurt qeveria e Tiranës u soll si qeveri armike për Kosovën. Qeveria e Edi Ramës kaq ka në dorë për Kosovën dhe është fat që nuk ka më shumë në dorë.
Veprim që cenon interesat kombëtare të cilat i mendon çdo shqiptar.
Vasa Çubrilliviqi akademiku serb stragegu i shfarosjes së shqiptarëse që thoshte se Serbia i zgjidh me parë punët në Tiranë do të jetë gëzuar në varr me veprimin e qeverisë së Tiranës.
Qeveria e Kosovës ta pyesë qeverinë e Tiranës që është e akuzuar për korrupsion nga opinioni publik, a mos është dashtë që Kosova të paguante ryshfet të zyrtarët e Tiranës.
Nderim për zëvendësministrin e Kosovës z. Dobruna”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.