OPINIONTË FUNDIT

Profesori amerikan sqaron tarifat e SHBA-së për Kosovën: Ndikimi do të jetë minimal për këto arsye

Presidenti i ri amerikan, Donald Trump së fundi ka publikuar tarifat ndja shteteve të ndryshme të botës. Trump ka zbuluar se për Kosovë vendosi tarifen prej 10%, derisa për Serbinë 37%.

Vendimin për tarifat e SHBA-së ndaj Kosovës dhe vendeve tjera, i ka komentuar profesori amerikan, Alon Ben Meir. Ai në një prononcim për ‘Bota sot’, ka thënë se formula e Trump për tarifat bazohet në hendekun midis importit të mallrave dhe shërbimeve për SHBA-në dhe eksportit të këtyre vendeve në SHBA.

“Sipas New York Times, “formula bazohet në thelb në deficitin tregtar të SHBA me një vend të huaj, i ndarë me eksportet e vendit”. Ajo që Trump po përpiqet të arrijë me tarifën e tij është të barazojë importin dhe eksportin midis SHBA-së dhe të gjithë partnerëve të saj tregtarë. Trump vendosi tarifën minimale për Kosovën prej 10%, e cila është dukshëm më e ulët se ajo që vendosi ndaj Serbisë, e cila është 37%”, vlerëson profesori.

Ai thekson se në vitin 2024, Kosova importoi 117 milionë mallra nga SHBA dhe eksportoi 42 milionë. Sipas tij, diferenca është 65 milionë, në këtë rast, Trump dëshiron që Kosova të rrisë importin e saj nga SHBA për 65 milionë.

“Ndikimi në Kosovë do të jetë minimal për dy arsye. Së pari, duke pasur parasysh se produkti kombëtar bruto (GNP) i Kosovës për vitin 2024 ishte 10,600 dollarë, tregtia midis dy palëve lëviz rreth 1%, që është mjaft e parëndësishme duke pasur parasysh GNP-në e Kosovës. Së dyti, tarifa e shtuar prej 10% për importet nga Kosova do të ketë një efekt minimal. Kosova eksporton tre artikuj kryesore në SHBA: dyshekë, fustane për femra dhe njësi modulare të ndërtimit të çelikut. Konsumatori amerikan i këtyre artikujve mund të thithë rritjen relativisht të vogël të çmimit”, thekson ai.

Ai thotë se, duke pasur parasysh se sa e vogël është tregtia mes dy vendeve, SHBA-ja dhe Kosova do të ishin në gjendje, të negociojnë një marrëveshje të re tregtare të kënaqshme reciproke.

“Për më tepër, përfaqësuesi i Kosovës do të ketë mundësinë të ulë tensionin politik mes dy vendeve, i cili është i nevojshëm në çdo rrethanë”, thotë profesori amerikan Meir, për ‘Bota sot’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *