Duçi i ka dalë pak me vonesë”/ Analisti komenton gjendjen në LDK dhe jep një parashikim jo të mirë për këtë parti
Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon ndoshta njërën nga periudhat më të “zymta” në historinë e saj politike.
Pas akuzave nga Lëvizja Vetëvendosje për vjedhjen e votave të diasporës – të cilat u hodhën poshtë nga gjykata pa hetim të thellë – tani kanë shpërthyer akuza brenda vetë LDK-së.
Deputetët e partisë janë duke folur mes vete për vjedhje votash brenda listës së LDK-së, një veprim që për shumëkënd përbën jo vetëm krim elektoral, por edhe thyerje morale të pashlyeshme ndaj besimit të qytetarëve.
Nëse këto akuza që po qarkullojnë në komunikimet e brendshme janë të vërteta, atëherë bëhet fjalë për një rrëshqitje të tmerrshme të partisë drejt krizës së identitetit dhe përçarjes totale.
Opinionisti Gani Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar zhvillimet që ndodhën brenda LDK-së.
Sipas tij, rënia e LDK-së ka qenë graduale – nga kohezioni i dikurshëm, në përçarje të brendshme dhe tensione që janë bërë publike.
Më tej ai thekson faktin se pas largimit të Rugovës, lidershipi i Isa Mustafës e më pas Lumir Abdixhikut, duket se nuk ka arritur të ruajë frymën unifikuese të LDK-së. Në vend të bashkimit, janë thelluar përplasjet, dyshimet dhe akuzat për manipulime.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, nga Lëvizje gjithë shqiptare që ishte, tani ka rënë ku mos më poshtë.
Thuhet se një njeri shpëton një popull, por edhe se, një njeri mbyt një popull. Kështu ndodhi edhe me LDK-në e dikurshme pas shkuarjes në amshim të liderit të saj, Dr. Ibrahim Rugova, që është për keqardhje, pra që është bërë për ta qajtur. Krejt kjo ka ardhur shkallë-shkallë, që nga ardhja në krye të saj të e Mustafës e deri tek Lumir Absdixhiku. Pa hyrë në analiza më të hollësishme për të në të kaluarën, po ndalemi tek zhvillimet e kohës së fundit brenda saj.
Tani, marrëdhëniet mes anëtarëve të LDK, më mirë se i dinë ata, nuk mund t’i dimë ne, por se nuk janë të mira, po e shfaqin vetë ata, qoftë si anëtarë të kryesisë, ashtu edhe deputetë që vijnë nga kjo parti.
Ankesat e disave, deri edhe në vjedhjen e votave, qoftë ndërmjet partive gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, qoftë nga vjedhja e votave mes deputetëve të LDK, po shihet se ka ndodhur.
Vjedhja e votave mes partish, nuk është e mirë, sepse mund të quhet parti hajneshë edhe nëse i ka sjellë ndonjë deputet më shumë, por kësisoj e merr epitetin HAJNESHË, për çka është një vepër e ligë, e shëmtuar, sepse humb besimin tek votuesit e saj. Kjo është edhe aq më e keqe e më e rëndë, kur ka ndodhur vjedhja e votave brenda partisë, brenda vetë deputetëve të të njëjtës parti, siç është LDK. Kjo është sikur vëllezërit vjedhin njëri-tjetrin, mes të cilëve do të hynte sherri e shamata, pa ditur se deri ku do të shkojë e deri kur do të ndalet”, shpjegon ai.
Tutje, Mehmeti shprehet se një nga akuzat për vjedhje të votave të diasporës, e deri te ajo më tronditësja – manipulimi i votave brenda vetë radhëve të LDK-së, situata ka marrë kthesë dramatike.
Ai thotë se vota është arma më e fuqishme e qytetarit dhe se ta vjedhësh atë, do të thotë të përçmosh demokracinë, të tradhtosh partinë dhe të zhvlerësosh vullnetin e atyre që besuan në ty. Kjo nuk është më çështje politike – është krim i pastër zgjedhor dhe duhet të trajtohet si i tillë nga prokuroria. Pa kompromis.
Ai shton se brenda LDK-së, përçarjet nuk janë më të fshehta. Ato janë të dukshme, të zëshme dhe tashmë edhe të dokumentuara në biseda të brendshme që po qarkullojnë. Disa deputetë janë të bindur se votat u janë vjedhur nga “vëllezërit politikë” të së njëjtës parti. Kjo është e pafalshme dhe e papranueshme për një subjekt që dikur frymëzonte unitet.
“LDK u akuzua nga LVV për vjedhjen e votave të diasporës. Gjykata nuk tha të hulumtohen ose të anulohen votimet, i mori për të rregullta, por diçka ka këtu.
Megjithatë, kjo sikur do të hahej disi, por vjedhja e votës brenda deputetëve të së njëjtës parti, për çka po flasin vetë ata, është e pafalshme.
Pra, bisedat mes deputetëve në viber, janë shumë të këqija, po edhe aq më të këqija janë se nuk është pritur nga kjo parti të ndodhë diçka e tillë.
Eh, vjedhja e votës është krim, sepse vidhet arma më e fortë e zgjedhësve për atë që ata kanë votuar. Me këtë, gjithsesi do duhej të merrej prokuroria për të zbardhur të vërtetën. E, nëse vërtet ka pasur vjedhje, pa marrë parasysh ndaj kujt, të dënohen sipas ligjeve në fuqi të Kosovës. Kjo do të kishte dy anë pozitive: Një që të dënohen hajnat dhe Dy, që të mendohet në të ardhmen se me vota të vjedhura nuk e kanë gjatë hajnat.
Kjo që ka plasur brenda LDK-së, është një pakënaqësi e disa deputetë qysh me zgjedhjen e Abdigjikut kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por se duçi i ka dalë pak me vonesë, tek tani, duke qenë të pakënaqur apo edhe të prekur ata që nuk fituan statusin e deputetit edhe këtë legjislaturë. Po, se këtu mbetën jashtë deputetët më të zëshëm të LDK e janë ndjerë të shokuar, po aq më e rëndë është nëse pikërisht atyre u janë vjedhur votat e u janë dhënë deputetëve tjerë të LDK!