KFOR-i paralajmëron stërvitje të rregullta në Novosellë
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të kryejë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës që ka në Novosellë.
Sipas një njoftimi për media, stërvitjet synojnë të trajnojnë njësitet e KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes në kohë krizash dhe ‘konsistojnë në një seri të simulimeve taktike dhe aktiviteteve logjistike, përfshirë pajisje të rënda dhe helikopterë”.
Njoftimi për këto stërvitje vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës bëjnë thirrje për heqjen e barrikadave të ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.
KFOR-i ka bërë të ditur më 16 dhjetor se e ka shtuar numrin e ekipeve patrulluese në veri.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
Komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – janë të banuara me shumicë serbe.
Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret që KFOR-i t’i largojë këto barrikada, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pret që barrikadat të hiqen nga personat që i kanë ngritur ato.
Së fundi, autoritetet serbe i kanë dërguar kërkesë KFOR-it për angazhimin e deri në 1.000 pjesëtarëve serbë të sigurisë në Kosovë, duke u thirrur në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Misioni i NATO-s, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë pranimin e kërkesës dhe ka thënë se është “duke e shqyrtuar atë”.