POLITIKATË FUNDIT

Kosova përfiton 210 milionë euro nga marrëveshja me Danimarkën

Republika e Kosovës dhe ajo e Danimarkës kanë arritur një marrëveshje që 300 qeli të Qendrës Korrektuese në Gjilan të jepen me qira Danimarkës. E nga kjo marrëveshje, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro. Kështu ka konfirmuar për portalin rtv21.tv Ministria e Drejtësisë së Kosovës.

“Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishme”, thuhet në përgjigjën e Ministrisë së Drejtësisë.

Tutje Ministria ka thënë se nga ky kompensim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi.

“Theksojmë që institucionet daneze i kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të dënuarve në Kosovë dhe kapacitetet tona në këtë drejtim. Kjo është mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt mes dy shteteve tona, duke thelluar partneritetin strategjik mes nesh”, ka thënë Ministria e Drejtësisë përmes një përgjigje me shkrim.

Sipas ministrisë, të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë.

Nënshkrimi i letër-qëllimit mes të dy palëve, do të arrihet më 20 dhjetor të këtij viti pas vizitës së ministrave danez në Republikën e Kosovës.

Ministria e Drejtësisë për portali rtv21.tv ka thënë se marrëveshja parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *