Shefi i asamblistëve të VV-së i reagon kryetarit Muharremaj: kush po iu merr haraq bujqve e tregtarëve në tregun javor të Therandës?
Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës, Liridon Fandaj i ka reaguar kryetarit të Komunës Bali Muharremaj në lidhje me shqetësimet e tregtarëve në Tregun Javor në Therandë. Pas vizitës që ai realizoi sot në mëngjes Fandaj ka bërë të ditur se gjatë takimeve me tregtarët, ata i shprehën shqetësimet e tyre për situatën e vështirë ekonomike dhe për ndjenjën e pasigurisë që ata përjetojnë nga përquesit e tensionit të lartë që ndodhen mbi kokat e tyre.
“Punë nuk ka, bile as taksën që po e paguajmë në treg nuk mund ta nxjerrim”, është përgjigja që tregtarët i dhanë asamblistit të Vetëvendsojes , të cilët janë të detyruar të qëndrojnë në kushte të vështira për të siguruar bukën e gojës.
Fandaj theksoi faktin shqetësues se askush nuk di kush po mbledh taksën e tregut, pasi Komuna e Suharekës nuk ka shpallur asnjë njoftim për konkurrim për menaxhimin e Tregut Javor. Ai shprehu keqardhje për këtë situatë dhe kërkoi sqarime nga autoritetet komunale për këtë çështje, duke kërkuar që kjo të zbardhet sa më shpejt dhe të sigurohet transparenca e plotë në mbledhjen e taksave dhe menaxhimin e tregut.