POLITIKATË FUNDIT

Incidenti në aeroport, si shkoi sigurimi i Afrim Gashit me armë për ta ndihmuar Vjosa Osmanin, sipas MPB-së maqedonase

Shefi i sigurimit të kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi është përballur me një kallëzim penal të ngritur kundër tij nga Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup, për shkak të ndërhyrjes së tij, siç thuhet, në incidentin te zona e kontrollit në aeroportin e Shkupit, në të cilin u përfshi të enjten presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

MPB e RMV ka treguar detaje sipas të cilave ekziston “dyshimi i bazuar” se S.S. e ka kryer veprën penale “rrezikim i sigurisë” dhe “pengim të zyrtarit në kryerjen e detyrave zyrtare”.

“Departamenti për Kontrollë të Brendshme, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së, Prokurorisë Publike Themelore kompetente për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Departamenti i Specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me autorizim policor dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, ka parashtruar kallëzim penal ndaj S. S., shef i Departamentit për sigurinë personale të Kryetarit të Kuvendit për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të “rrezikimit të sigurisë” nga neni 144 i Kodit Penal dhe veprës penale “pengim të zyrtarit në kryerjen e detyrave zyrtare” sipas nenit 382 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Paraditen e së enjtes, ai thuhet se mbërriti në zonën VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit “me një automjet me drita rrotulluese”, ka zbritur dhe “e ka hequr armën nga brezi, e ka përgatitur dhe e ka futur sërish në brez”. Policit nga Departamenti i Policisë në aeroport para derës së hyrjes VIP, thuhet se “iu drejtua me ton të lartë, e shtyu me të dyja duart dhe duke e kërcënuar” dhe se “ka penguar punonjësin e policisë si zyrtar në kryerjen e veprimeve të tij zyrtare”.

Sipas MPB-së maqedonase, S.S. “është dërguar në Aerpotin Ndërkombëtar të Shkupit nga ana e Kryetarit të Kuvendit me qëllim të tejkalimit të mosmarrëveshjes e cila ka ndodhur me Kryetaren e Republikës së Kosovës në lidhje me procedurat e sigurimit për kontrollimin e bagazhit dhe pajisjeve elektronike gjatë fluturimit në linjë komerciale”.

“Më pas, së bashku me dy nëpunës policorë të tjerë të Departamentit për Siguri të Personave, ai hyri në VIP sallonin dhe duke u futur në dhomat ku nuk kishte autorizim për lëvizje dhe qëndrim, punonjësit e pranishëm të TAV-Shkup, policë të kufirit nga policia kufitare dhe të Departamentit për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara, ai filloi të kërcënonte për jetën e tyre, duke kërkuar që të shoqëronte presidentin me automjet deri në avion”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RMV.

MPB-ja maqedonase paralajmëroi se do të propozojë “fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj nëppunësit policorë S.S. dhe do të shqiptojë masa të detyrueshme për largim nga vendi i punës – pezullim deri në përfundimin e procedurës disiplinore, kurse ndaj nëpunësve policorë S.R. dhe N.B. do të parashtrojë Propozim për fillimin e procedurës për shkelje të urdhërit të punës dhe disiplinës për shkak të ekzekutimit të urdhërit të kundërligjshëm, kryerjes së pakujdesshme të detyrave të punës dhe dëmtimin e reputacionit të policisë”.

Kryeparlamentari shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka thënë se “kam ndërhyrë vetëm për të qetësuar situatën, jo për të bërë ndonjë incident diplomatik dhe mendoj se gjithçka përfundoi ashtu siç duhej”.

“Nëse dikush ka tejkaluar kompetencat e tij, sigurisht që do të duhet të përgjigjet”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *