POLITIKATË FUNDIT

“Moment historik”, BE ndan ndihmë 13 milionë euroshe për Ushtrinë Shqiptare: Vendi është në linjë të plotë me politikën e bllokut

Forcat e Armatosura Shqiptare do të marrin një ndihmë prej 13 milionë eurosh nga Bashkimi Europian.

Këshilli Europian e ka miratuar sot një masë ndihme në kuadër të Mekanizmit Europian të Paqes me vlerë 13 milionë euro, me qëllim “rritjen e efektivitetit operacional të Forcave të Armatosura Shqiptare, veçanërisht në drejtim të lëvizshmërisë, manovrimit dhe mbrojtjes”, siç thuhet në një komunikatë për media të BE-së.

Ndihma parashihet “t’i forcojë gjithashtu kapacitetet e Shqipërisë në lidhje me pjesëmarrjen e saj në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, si dhe në çdo koalicion ndërkombëtar”.

Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, citohet ta ketë vlerësuar këtë vendim si “arritje e rëndësishme në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen”. Ai ka thënë se Shqipëria është “në linjë të plotë” me politikën e BE-së për siguri dhe mbrojtje.

“Shqipëria është një partner i besueshëm për sigurinë dhe një vend kandidat për në BE. Vendimi i sotëm është një arritje e rëndësishme në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen. Gjithashtu, ai pasqyron vlerësimin tonë për qëndrimin e Shqipërisë në linjë të plotë me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, një shprehje shumë e qartë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për një të ardhme brenda BE-së”.

BE-ja thekson se vendimi është “rezultat konkret i angazhimit në rritje me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke reflektuar përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”.

“Mekanizmi Europian i Paqes do të sigurojë pajisje që nuk janë projektuar për të prodhuar forcë eliminimi fizik dhe, aty ku nevojitet, furnizime dhe shërbime të tjera, përfshirë trajnim teknik. Forcat Tokësore Shqiptare do të marrë mjete të lehta të blinduara shumëfunksionale. Këto mjete janë të pajisura për të siguruar lëvizshmëri dhe manovrim të lartë në të gjitha llojet e terrenit dhe kushteve të motit, si dhe për të siguruar mbrojtjen e personelit ndaj armëve të lehta dhe eksplozivëve”, thuhet në komunikatë.

Duke e ndarë lajmin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, shkroi në “X” se ky është “një moment i rëndësishëm historik në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen”.

BE-ja e krijoi Mekanizmin Europian të Paqes në mars të vitit 2021 për financimin e veprimeve “në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë për parandalimin e konflikteve, për ruajtjen e paqes dhe për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”. Veçanërisht, Mekanizmi Europian i Paqes i mundëson BE-së “të financojë veprime të projektuara për të forcuar kapacitetet e shteteve të treta dhe organizatave rajonale e ndërkombëtare në lidhje me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *