U hap qendra për gratë viktima të dhunës në familje në rajonin e Pollogut
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njoftoi se është themeluar zyrtarisht shërbimi social – Qendra për gratë viktima të dhunës në familje në rajonin e Pollogut. Qendra për gratë viktima të dhunës në familje është njësi organizative e IP Qendrës ndërkomunale për punë sociale Gostivar. Qeveria, si nënshkruese e Konventës së Stambollit dhe pjesëmarrëse në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave, ofroi shërbimin e qëndrimit të përkohshëm duke hapur Qendrën për gratë viktima të dhunës, dika që i ka munguar prej kohësh këtij rajoni, transmeton Portalb.mk.
“Nëpërmjet këtij shërbimi, Qeveria dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ofrojnë strehim, mbrojtje, ndihmë psiko-sociale dhe mbështetje për viktimat që kanë përjetuar dhunë apo abuzim, me qëllim tejkalimin e situatës, forcimin e kapaciteteve dhe integrimin e tyre social në shoqëri. Akomodimi i nevojshëm i viktimës në qendër mund të zgjasë tre muaj me mundësi të zgjatjes për tre muaj ose një vit nëse është rast i jashtëzakonshëm. Gjatë akomodimit njerëzve u ofrohet ndihmë psiko-sociale, mbështetje dhe aktivitete të tjera”, thonë nga MPPS.
Nëse viktima ka edhe fëmijë të vendosur në qendër dhe të cilët janë të përfshirë në procesin edukativo-arsimor, punëtorët profesionistë janë të detyruar të sigurojnë vazhdimin e shkollimit të rregullt të fëmijëve, fuqizimin ekonomik të viktimës dhe përfshirjen e saj aktive në tregun e punës.
Me themelimin e Qendrës në rajonin e pollogut, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ofroi shërbime për gratë viktima të dhunës në familje në një rajon ku nuk ishte në dispozicion deri më tani.
Kujtojmë se Pollogu, ishte rajoni i vetëm në Maqedoninë e Veriut nga tetë rajonet planore i cili nuk kishte strehimore të tillë. Përveç tjerash në këtë rajon kanë munguar tjera të specializuara. Institucionet, si ato qendrore por edhe ato lokale e kanë zvarritur shumë punën për zgjidhjen e kësaj situate. Ekspertët e fushës madje, qysh moti kanë alarmuar se strehimorja duhej të krijohet sa më parë, pasi nevoja për të është urgjente.
Ndonëse vendi ka qenë nënshkruese e Konventës së Stambollit, duke anashkaluar Pollogun, nuk ka respektuar obligimet që rrjedhin nga kjo konventë si dhe as ligjet nacionale sipas të cilave, shteti obligohet që grave viktima të dhunës në familje t’ju sigurojë strehim, qoftë në bazë të Ligjit për Parandalimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (2021) apo Ligjit për Mbrojtjen Sociale. Rajoni i Pollogut për shumë kohë ishte shembull konkret ku shihej se zbatimi i dispozitave nga pikat e lartpërmendura nuk implementoheshin në praktikë.
- LEXO: Gratë e Rajonit të Pollogut, të vetmet në vend pa strehimore për viktimat e dhunës (Video)
- LEXO: Psikoterapistja Ziberi-Imeri: Komunat e Pollogut të marrin masa për krijimin e shërbimeve të specializuara për gratë viktima të dhunës (VIDEO)
- LEXO: Në rajonin e Pollogut nuk po ndërmerret asgjë për avancimin e të drejtave të viktimave të dhunës në familje
N. D. Send an email 10:24, 13-12-2022