POLITIKA

Treshja opozitare nisin takimin me Escobar

Ka nisur takimi i emisarit amerikan, Gabriel Escobar me krerët e partive opozitare në vend, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në takimin që po zhvillohet në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, po marrin pjesë Memli Krasniqi i PDK’së, Lumir Abdixhiku i LDK’së dhe Ramush Haradinaj i AAK’së.

Kjo është hera e tretë që Esobar mbledh në takim krerët e partive opozitare në Kosovë.

Ky takim ishte thirrur nga Këshilltari i DASh’it, Derek Chollet, por i njëjti anuloi krejt në fund ardhjen e tij në Kosovë, pasi siç njoftoi vetë, rezultoi pozitiv në testin për Covid.

Me Escobarin dhe krerët e partive opozitare, në takim prezent është edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Gabriel Escobar ka arritur në fundjavë në Kosovë, ndërsa dje ka pasur takime me krerët e shtetit, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.

Vizita e emisarit amerikan zhvillohet në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ku janë vendosur edhe barrikadat nga banorët serb lokal. Po ashtu, në ditët e fundit janë raportuar edhe shpërthime të ndryshme në veri dhe sulme me armë zjarri nga persona me maska.

Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, katër ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Që nga e shtuna kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë mbyllur, ndërkaq shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura. /Reporteri.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *