POLITIKATË FUNDIT

Në sytë e qytetarëve partitë politike në Maqedoninë e Veriut paraqesin burim dezinformatash

Kuvendi- Parlamenti i RMV-së, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Kuvendi- Parlamenti i RMV-së, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Hulumtimi që ka realizuar Instituti për Studime të Komunikimit ka nxjerrë në pah se qytetarët e Maqedonisë së Veriut konsiderojnë se partitë politike janë ato që më së shumti shpërndajnë dezinformata.

Në bazë të këtij hulumtimi të realizuar në tetor, i cili është pjesë e projektit “Shfrytëzo fakte”, 47 për qind e qytetarëve vlerësojnë se lajmet rrejshme burojnë nga partitë politike, përkatësisht politikëbërësit dhe në vendin e dytë janë renditur mediat me 28 për qind.

Qytetarët e anketuar janë përgjigjur se institucionet e shtetit janë ato që më së paku shpërndajnë lajme të rrejshme, gjithsej 5 për qind.

Partitë politike do të plasojnë të pavërteta përderisa nuk dënohen

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërhyrja e politikës në çdo pore të shoqërisë dhe keqmenaxhimi i institucioneve, kanë bërë që partitë politike të mos shihen nga qytetarët si partnerë të zhvillimit të demokracisë, por e kundërta, si trampolinë që plasojnë informacione të rrejshme në favorin e tyre pa frikën se për këtë do të ndëshkohen.

“Nëse ka keqpërdorime, mosrespektim të ligjit, mosqeverisje të mirë, përgjegjëse për këtë janë partitë politike. Partitë politike nëse e humbin besimin te qytetarët, duhet të konsolidohen dhe të sillen në mënyrë më të përgjegjshme. Pse nuk ndodh kjo te ne?”.

“Problemi qëndron te sistemi gjyqësor. Nëse do të kemi një gjyqësor të paanshëm, profesional dhe imun ndaj ndikimeve, atëherë dhe politikanët do të silleshin në mënyrë më të përgjegjshme nga frika se mund të ballafaqohen me drejtësinë. Kjo nuk ndodh pasi politika kontrollon gjykatat dhe jo gjykatat politikën”, vlerëson Musliu.

Nga ana tjetër, Drita Mehmedi, ligjëruese në Fakultetin e Sociologjisë në Universitetin e Tetovës, thotë se rezultatet e këtij hulumtimi nxjerrin në pah rënien e besueshmërisë së qytetarëve kundrejt partive politike. Një gjë e tillë, sipas saj, ndikon në krijimin e perceptimit të qytetarëve ndaj fenomeneve të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me politikën.

“Në këtë kontekst, kemi të lidhur aspektin social që është relacioni shkak-pasojë, sepse nisur nga fakti që qytetarët nuk iu besojnë subjekteve politike, ku shumica prej tyre edhe i kanë zhgënjyer me mosmbajtje të premtimeve të dhëna parazgjedhore, qytetarët tani e kanë të vështirë që t’iu besojnë. Edhe në rast se partia, si subjekt politik, shpërndan një informatë të saktë, qytetarët e marrin me rezervë dhe si dezinformatë”, thotë Mehmedi për Radion Evropa e Lirë.

Burimet e informimit

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut edhe më tej burim kryesor të informimit e kanë televizionin. Kështu janë përgjigjur 65 për qind e të anketuarve. Pas televizionit, burim informimi për qytetarët radhitet rrjeti social Facebook, gjithsej 47 për qind e të anketuarve, kurse në vend të tretë radhiten ueb-faqet me 24 për qind.

Petar Arsovski, komunikolog, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo rritje e shpejtë e ndikimit të rrjeteve sociale si burim informacioni, mundësoi që më shpejt të verifikohen lajmet dhe të gjenden ata që plasojnë të pavërteta.

“Qytetarët, në rrjete sociale dhe ueb-faqe, kanë zgjedhje më të madhe të informacioneve, pra kanë mundësi që informacionet t’i verifikojnë nga shumë burime me një shpejtësi shumë më të madhe në internet nga ajo që mundësojnë mediat tradicionale dhe kështu shumë më shpejt arrijnë të kuptojnë burimet që plasojnë dezinformata”, thotë Arsovski.

Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian, është apostrofuar sfida me luftën kundër lajmeve të rrejshme për shkak të, siç theksohet, “kërcënimit në rritje nga dezinformatat”.

F1 C Send an email 19:15, 09-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *