Chollet dhe Escobar për vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor
Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Deren Chollet, i shoqëruar nga i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, pritet që javën e ardhshme të vizitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, njofton Portalb.mk.
Përmes një njoftimi për media, DASH njoftoi se Chollet, fillimisht do ta nis vizitën në Kosovë, ndërkaq pastaj do të qëndrojë edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë nga 11 deri më 17 dhjetor.
Përfaqësuesit amerikanë më 12 dhjetor do të qëndrojnë në Prishtinë, më 13 në Beograd, më 14 në Sarajevë dhe Shkup, më 15 në Podgoricë dhe Zagreb, ndërkaq më 16 dhe 17 dhjetor vizitën do ta mbarojnë në Bruksel.
Funksionarët e lartë amerikanë vijnë në kohën e tensioneve në veri të Kosovës, pasi që më 8 dhjetor, në Zveçan një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i plagosur nga një sulm i armatosur, që sipas Kosovës, prapa tij qëndrojnë “bandat kriminale serbe”. Serbia akuzon Kosovën se përpiqet “ta pushtojë” veriun.
Në ndërkohë, Në Maqedoninë e Veriut, ka paralajmërime se një ekip amerikan do të arrijë në vend për vështrim më agresiv të funksionarëve të korruptuar. Ambasadorja e SHBA-ve në RMV, Angela Ageler ka porositur se Maqedonisë së Veriut i nevojiten më shumë hetime dhe ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin. Paraprakisht, ajo deklaroi se është e hutuar se si është zgjedhur kreu i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi, të cilët i dolën disa fotografi me funksionarë të lartë të BDI-së.
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit sot në takim me gazetarët deklaroi se e përshëndesin ardhjen e ekipit amerikan për vështrim më agresiv ndaj funksionarëve të korruptuar, por, njëkohësisht kjo është dështim për politikën e vendit pasi nuk i kemi kryer detyrat e nevojshme.
- LEXO: E përshëndesim ekipin amerikan kundër korrupsionit, por ardhja e tyre në RMV është dështim për politikën, thonë nga Antikorrupsioni
- LEXO: Dita botërore kundër korrupsionit: Si u vlerësua Maqedonia gjatë vitit 2022?
- LEXO: Organizatat civile në RMV: Çmimin e korrupsionit afatgjatë, më së shumti e paguajnë qytetarët
S. B. Send an email 16:38, 09-12-2022