Qeveria: Në veri policia e rendit, jo njësitë speciale
Policia e Kosovës njoftoi për rritjen e prezencës policore në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Mediat serbe në veri të Kosovës dhe ato në Serbi, raportuan se atje po dërgohen pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, hodhi poshtë këto pretendime.
“Bëhet fjala vetëm për policinë e rendit, jo për ndonjë njësi tjetër”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se rritja e prezencës policore ishte “e domosdoshme” pas incidenteve të fundit në këtë pjesë të vendit.
“Lusim të gjithë qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës të cilët janë duke u angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”, shkroi ai në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.