Policia rrit prezencën në veri të Kosovës
“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rrisë prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë”, u tha në njoftimin e këtij institucioni të sigurisë.
Në video të publikuara mbrëmjen e 8 dhjetorit u panë disa zyrtarë policorë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut. Ky është një vendbanim multietnik, ku banojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë.
Më 6 dhe 7 dhjetor, në komunat në veri të Kosovës ka pasur incidente me armë zjarri dhe me granata. Të martën, autoritetet bën të ditur se zyrat e komisioneve komunale zgjedhore u dëmtuan nga “mjete të rrezikshme”, nga grupe dhe persona “të maskuar”.
Po ashtu, më 8 dhjetor kishte tentim të plaçkitjes së Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.
Incidentet më 6 dhjetor ndodhën teksa policia po përcillte zyrtarët zgjedhorë për në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, pasi autoritetet zgjedhore po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet për kryetarë komune në veri të Kosovës, të caktuara për 18 dhjetor.
Autoritetet në Kosovë i cilësuan këto incidente si “sulme terroriste” dhe thanë se pas tyre qëndrojnë “bandat kriminale” që “financohen dhe dirigjohen” nga Serbia.
Pas incidenteve të 6 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi shtim të prezencës policore në veri për shkak të “krimeve dhe sulmeve” në këtë pjesë të shtetit.
Policia e Kosovës tha se ka kapacitete që të menaxhojë dhe të kontrollojë situatën e sigurisë në mbarë vendin.
Në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, afër 600 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje në nëntor. Ata ishin në mesin e zyrtarëve të tjerë, përfshirë ata politikë dhe të sistemit të drejtësisë, që u dorëhoqën në shenjë kundërshtimi për një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.