Habit Avdullah Hoti, thotë se po shqyrton mundësinë të kandidojë për Kryetar të LDK’së
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, nuk e ka fshehur ambicien e tij për ta udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës. Këtë e tha ekskluzivisht në “Pressing” në T7, duke u shprehur se është duke e menduar mundësinë për të garuar për të parin e partisë.
I pyetur nëse ka ambicie për të qenë kryetar i LDK-së, Hoti tha:
“Jam duke u mendu, nuk kam vendos të garoj ende, por nuk kam vendos as të mos garojë, jam duke e mendu…Nuk e kam vendos ende, sepse nuk mund ta vendosi pa u kry zgjedhjet në degë, e mandej të caktohet Kuvendi”, tha Hoti në Pressing, transmeton Gazeta Express.
I pyetur nëse e mbështet Lumir Abdixhikun për kryetar të partisë, teksa LDK është në zgjedhje të mbrendshme, ai tha:
“Nuk jemi ende në atë pikë, ndoshta 40% të zgjedhjeve janë kry, kjo është çështje e brendshme nuk është momenti tash. Jemi ende në proces dhe tek kur kryhen kuvendet e degëve, mbildhet kuvendi dhe atëherë diskutohen kandidaturat për kryetar të partisë”, u shpreh ai.
Tutje deputeti Hoti përmendi bagazhin e tij shumë-vjeçar që ka nëpër institucione të vendit.
“Nuk mund të flas për veten por besoj që jam ndër deputetet më të zëshëm, në përputhje me orientimet që i ka LDK….Jam person që kam pas funksione në të gjitha pozitat”.
Gjithsesi sa i përket çështjes për paraqitjen e kandidaturës për kryetar të partisë, Hoti tha se “është obligim i secilit anëtar ta respektojë statutin e LDK-së”.