OPINIONTË FUNDIT

Walker: Zëvendësi im francez u bë ambasador në Serbi, koordinohej me Beogradin

Ish-diplomati amerikan William Walker, tregoi për tensionet që pati me zëvendësin e tij francez gjatë misionit në Kosovë, i cili më pas u emërua ambasador i Francës në Serbi.

Sipas Walker, zëvendësi i tij kishte një qasje të ndryshme për situatën në terren dhe shpesh koordinohej me autoritetet në Beograd.

“Me zëvendësin tim francez kam pasur problem. Ai koordinohej me Beogradin dhe më pas u bë ambasador i Francës në Beograd. Ai mendonte që unë po tejkaloja rolin tim duke folur hapur, duke ngritur zërin”, u shpreh Walker në A2CNN.

Ai tregoi edhe një incident që lidhej me një deklaratë të raportuar në media, pas një vizite të zëvendësit të tij në Paris.

“Ka pasur një incident, kur ai shkoi në Paris dhe foli me një gazetar. Gazetari raportoi se unë nuk kisha qenë i saktë në deklaratat e mia. Kur u kthye në Prishtinë, më tha që ishte keqinterpretuar nga mediat dhe nuk kishte thënë asgjë që kundërshtonte deklaratat e mia”, tha më tej ish-diplomati amerikan.

Walker theksoi se kjo çështje nuk u sqarua kurrë plotësisht, por marrëdhënia mes tyre mbeti e tensionuar.

“Nuk e sqarova kurrë plotësisht nëse ishte gazetari që kishte raportuar gabim apo zëvendësi im që kishte bërë deklaratë të tillë, por gjithmonë kam pasur problem me të, sepse ai mendonte se unë isha i njëanshëm. Kjo nuk ishte e vërtetë. Ajo që thoja ishte e bazuar vetëm në atë që pashë: pashë një masakër, një krim lufte,” shtoi Walker.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *