POLITIKATË FUNDIT

“Na u tha të mos largohemi nga Kosova tri ditë para shpalljes”/ Nënshkruesit e pavarësisë rrëfejnë mes emocionesh përjetimet e tyre në ditën historike

Më 17 Shkurt 2008, Kosova kurorëzoi një rrugëtim të gjatë historik drejt lirisë dhe shtetësisë, duke shpallur pavarësinë e saj si shtet demokratik dhe sovran. Kjo datë shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë të vendit, rezultat i dekadave të përpjekjeve politike, sakrificave dhe qëndresës së popullit të Kosovës.

Shpallja e pavarësisë erdhi pas një procesi të gjatë historik, që përfshiu Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, referendumin e vitit 1991 dhe përpjekjet e vazhdueshme për njohje ndërkombëtare, të udhëhequra nga figura si presidenti historik Dr.Ibrahim Rugova.

Në këtë moment historik, ish deputetët Adem Salihaj dhe Naser Rugova ndanë për publikun kujtimet e tyre personale, duke rrëfyer emocionet, krenarinë dhe përgjegjësinë që ndjenin ndërsa shihnin Kosovën të shpallej shtet i pavarur.

17 Shkurti 2008 – Dita e përmbushjes së ëndrrës shekullore

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Adem Salihaj, ishte një ndër deputetët e parë që nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Në një prononcim për “Bota Sot”, ai ka rrëfyer një kujtim personal nga 17 shkurti 2008, duke e përshkruar atë si një nga ditët më të mëdha dhe më emocionuese të jetës së tij – ditën kur një ëndërr e kahershme u bë realitet.

Sipas tij, ditët para shpalljes u shoqëruan me pritje dhe kujdes të shtuar për shkak të rrezikut nga Serbia.

Ai ka zbuluar se deputetëve iu kërkua të mos largoheshin nga vendi dhe një ditë para 17 shkurtit u njoftuan për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, duke e bërë të qartë se kishte ardhur momenti historik.

ImageAdem Salihaj gjatë nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008.Foto galeri
“Sot në përvjetorin e Pavarësisë, po ndaj me ju një kujtim personal nga dita historike e 17 Shkurtit 2008.

17 Shkurti 2008 ishte një nga ditët më të mëdha dhe më emocionuese të jetës sime – dhe besoj, e tillë ishte për shumicën e deputetëve dhe për mbarë popullin e Kosovës. Ishte dita kur një ëndërr e gjatë, e mbajtur gjallë ndër dekada sakrifice, u bë realitet.

Disa ditë para shpalljes, në korridore filluan të qarkullonin fjalë se momenti historik po afrohej. Megjithatë, ne nuk ishim të informuar zyrtarisht, sepse ekzistonte rreziku i ndonjë provokimi nga Serbia apo nga strukturat e saj në Kosovë. Rreth tri ditë më herët na u kërkua të mos largoheshim nga vendi. Një ditë para 17 shkurtit, u njoftuam se të dielën do të mbahej një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit. Ishte e qartë për të gjithë ne: kishte ardhur ora e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka rrëfyer ai.

Salihaj ka kujtuar se rruga drejt pavarësisë kishte nisur më herët, me referendumin e vitit 1991 së bashku me presidentin Ibrahim Rugova, si dhe me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Kaçanikut.

“Për mua, ai ishte një çast i mbushur me emocione të papërshkrueshme. Që në vitin 1991, së bashku me Presidentin historik, Rugova ne e kishim shpallur Republikën e Kosovës përmes referendumit popullor. Edhe pse në atë kohë na njohu zyrtarisht vetëm , Republika jetonte në shpirtin tonë dhe në ndërgjegjen e popullit. Ajo kishte themelet e saj në Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe në Kushtetutën e Kaçanikut të 2 shtatorit 1990– dokumente që dëshmonin vullnetin e pathyeshëm për liri dhe shtetësi”, ka thënë ai.

Tutje, Salihaj ka theksuar se në vitin 2008 pavarësia e Kosova u shpall me mbështetjen e vendeve më të fuqishme të Evropës dhe të Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka kujtuar se në atë ditë madhështore mungonin dy figura kyçe: Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe Komandanti legjendar Adem Jashari, të cilët nuk jetuan për ta parë shpalljen, por sakrifica dhe vizioni i tyre ishin themeli i shtetit.

“Ndërsa në vitin 2008, pavarësia po shpallej me mbështetjen dhe përkrahjen e vendeve më të fuqishme të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte një kapitull i ri, i hapur me dinjitet dhe me mbështetje ndërkombëtare.

Megjithatë, në atë ditë madhështore mungonin dy figura themelore të historisë sonë moderne: Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe Komandanti legjendar Adem Jashari . Ata nuk jetuan për ta parë këtë ditë, por vepra, vizioni dhe sakrifica e tyre ishin themeli mbi të cilin u ngrit shteti ynë.

Më 17 shkurt 2008, në orën 15:00, filloi seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Në sallë ndodheshin deputetët, anëtarët e Qeverisë dhe Presidenti . Kryetari i Kuvendit, mbajti fjalën hyrëse dhe më pas e ftoi Presidentin që të lexonte Deklaratën e Pavarësisë. Në një moment të papritur, Presidenti mbeti i ulur. Pas një pritjeje të shkurtër, kryetari i Kuvendit e ftoi Kryeministrin që ta lexonte Deklaratën.

Dhe pastaj erdhi çasti historik.

Deklarata e Pavarësisë u lexua para botës. Në orën 15:39, me duartrokitje të gjata dhe emocion të papërmbajtur, Kuvendi e miratoi atë. 109 deputetë e nënshkruam aktin më të rëndësishëm politik në historinë moderne të vendit tonë.

Në atë moment, ndjeva një përzierje krenarie, mirënjohjeje dhe përgjegjësie të madhe. Pas dekadash përpjekjesh, sakrificash dhe qëndrese, pata nderin të jem pjesë e atij brezi që vulosi pavarësinë e Kosovës”, ka shpjeguar ai.

Në fund, Salihaj ka deklaruar se pavarësia e Kosova nuk ishte dhuratë, por fryt i vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova, i sakrificës së familjes së Adem Jashari dhe i mijëra dëshmorëve e martirëve që ranë për liri gjatë luftës.

Ai thekson se sa herë kujton 17 Shkurtin 2008, e ndien sërish emocionin e asaj dite historike, kur Kosova u shpall shtet i lirë dhe sovran.

“Pavarësia nuk ishte dhuratë. Ajo ishte fryt i vizionit të Presidentit Rugova, i sakrificës së familjes Jashari dhe i mijëra dëshmorëve e martirëve që ranë për liri gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Ata janë themeli i shtetit tonë.

Sot, sa herë që kujtoj 17 Shkurtin 2008, e ndiej sërish atë drithërimë. Ishte dita kur historia mori drejtimin e saj të shumëpritur. Ishte dita kur Kosova u ngrit në këmbë si shtet i lirë dhe sovran.

Lavdi të përjetshme atyre që sakrifikuan për këtë ditë. Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë!”, ka përfunduar Salihaj.

Rugova për Pavarësinë: Akti më Kulmor pas 28 Nëntorit 1912

Edhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka deklaruar se 17 Shkurti 2008 është më shumë se një datë historike; është përmbledhje e përpjekjeve shekullore, sakrificave dhe gjakut të dëshmorëve për liri e pavarësi.

ImageNaser Rugova gjatë nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008.Foto galeri
Sipas tij, kjo ditë shënon arritjen më kulmore të kombit pas 28 Nëntorit 1912, duke kurorëzuar idealin për shtet të pavarur të Kosovës.

“17 shkurti i vitit 2008 është më shumë se dita e shpalljes së pavarësisë, më shumë se datë historike, është sublimim i përpjekjeve shekullore, vuajtjeve, sakrificave, organizimeve politike, gjakut të derdhur të mijëra dëshmorëve në disa luftëra për çlirim dhe mevetsi të popullit dhe shtetit të Kosovës. Është e arritura me kulminante e kombit tonë pas 28 nëntorit 1912”, ka thënë ai.

Po ashtu, Rugova është shprehur se 17 Shkurti i ka ngjallur emocion të veçantë si një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Ai e ka përshkruar atë moment si ndjenjë krenarie, përgjegjësie dhe fati, duke theksuar se kishte nderin të vinte firmën si përfaqësues i zgjedhur nga vullneti i lirë i popullit të Kosovës.

“Kjo ditë më ngjalle emocion të veçantë si njeri nga nënshkruesit e deklaratës se pavarësisë, është ndjenjë krenarie dhe përgjegjesie por edhe fat që kisha nderin që të vëjë firmën në deklaratën e pavarësisë si i zgjedhur i vullnetit të lirë nga populli i vendit tim”, është shprehur ai.

Në fund, Rugova ka ka nënvizuar se institucionet duhet ta ruajnë këtë ditë në memorien historike dhe ta përcjellin te brezi i ri, në mënyrë që ajo të bartet me krenari edhe tek brezat që do të vijnë.

“Kjo ditë është testament historik dhe kushtetues – juridik dhe trashegimi për brezat e tashëm dhe të ardhshëm të shtetit tonë, dhe duhet që si institucione ta ruajmë në memorien historike dhe ta përçojmë këtë akt historik tek brezi i ri i vendit tonë të cilët duhet ta percjellin me krenari te brezat e ardhshem”, ka përfunduar Rugova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *