OPINIONTË FUNDIT

Paradoksi i luftës me Gjykatën Speciale dhe heshtjes për rolin e Serbisë si shkak i saj!

Prej dy ditësh opinioni publik po njihet me pretencën e prokurorëve të Gjykatës Sepciale të Kosovës në Hagë rreth akuzave për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Kërkesa e prokurores së çeshtjes për t’i dënuar ata me 180 vite burg, ose 45 vite për secilin prej tyre është paradoksi i parë. Kurrë nuk mund të ndodhë që përgjegjësia të jetë identike për dy ose më shumë të dyshuar e jo më për të katër të akuzuarit në fjalë. Por prokurorja ka kërkuar 45 vite dënim për secilin prej tyre. Një kërkesë si kjo të prokurorit nuk do të mund ta shpjegonte as Emmanuel Kant po të ishte gjallë. Sepse nuk ka e nuk mund të ketë kurrë faje e përgjegjësi identike. Ky fakt ve në pikëpyetje kredibilitetin e vetë Prokurorisë Speciale të Kosovës në Hagë dhe dëshmon për papërgjegjësi absolute profesionale e morale.

Por paradoksi më i madh lidhet me faktin se jo pak politikanë përdorin në këtë rast një retorikë denigruese në adresë të Gjykatës dhe prokurorëve Specialë të Hagës, duke anashkaluar të përdorin akuza retorikë të tillë në adresë të inicuesve dhe furnizuesve fiktivë të kësaj gjykate, përkatësisht qeverisë, presidentit dhe prokurorisë së Beogradit. Bardhyl Mahmuti në një koment të tij argumentonte se si ka ndërhyrë Serbia dhe se si autoritetet e saj, përmes shërbimit sekret, kanë orientuar dhe furnizuar hetimet e prokurorëve të kësaj gjykate. Ishte një elaborim konkret dhe u argumentuar, por ja që këto fakte i shmangin dhe nuk duan t’i njohin disa prej politikanëve kritikë dhe akuzues të Gjykatës Speciale.

Një nga kryesorët me zhargonin e tij akuzues, fyes dhe banal në adresë të prokurorëve është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai në statusin e tij të parë thoshte se këta prokurorë kanë ngritur një mal me m.t. kundër komandantëve të UÇK-së. Nuk thoshte se këtë mal me m.t e ka ngritur me kohë Serbia. Akoma prej më shumë se një dekade nuk guxon Edi Rama të akuzojë dhe fajësojë Serbinë. Aq më pak presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq, me të cilin ka histori të njohura dhe të fshehura. Pse kreu i ekzekutivit të Shqipërisë sa herë kritikon Gjykatën Speciale, prokurorët dhe gjykatësit e saj nuk përmend faktin se kjo gjykatë është produkt i politikës dhe investimit direkt të Serbisë, institucioneve dhe shërbimeve të saj? Nëse dikush ka dëgjuar prej tij qoftë edhe një akuzë në adresë të Beogradit, le të më thotë se unë nuk jam i saktë. Por unë i ndjek të gjitha prononcimet e tij për Kosovën dhe në asnjë rast nuk kam dëgjuar prej kryeministrit të Shqipërisë të kritikojë ose akuzojë Aleksandër Vuçiq.

Përkundrazi, ai e ka marrë gjithmonë në mbrojtje sivëllaun e tij në Beograd, deri në atë masë, sa në një samit të NATO-s në vitin 2022 pati kërkuar që BE dhe NATO të mos i kërkojnë presidentit të Serbisë të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe madje pati thënë “duhet ta mirëkuptojnë atë në vendimin e tij për të mos i vënë ato sanksione”! Dispropocionaliteti midis fajësimit të pasojës në raport me shkakun është më së paku mungesë e objektivitetit dhe qëndrueshmërisë së analizës, refleksionit, kritikës ose akuzës. Edi Rama fajëson pasojën, Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, por jo shkaktaren e krijimit të kësaj gjykate, Serbinë, Rusinë dhe aktorë të tjerë anti-Kosovë. Disbalanca në këtë rast, ashtu si në të gjithë veprimtarinë e kryeministrit të Shqipërisë, shkakton probleme. Mës së paku shndërrohet në demagogji dhe hipokrizi.

A ka hipokrizi në kritikën e masës së dënimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin? Besoj se ka. Hipokrizia fillon nga vetë këta të akuzuar, të cilët i kanë shkruar dhe kënduar himne vetes së tyre për “trimëritë” e mëdha në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës. Vetëmburrja, etja për lavdi, egoizmi dhe dukja janë karakteristikë e shëmtuar e shqiptarëve në përgjithësi dhe sidomos e politikanëve shqiptarë. Edhe të akuzuarit u bënë në një farë mënyre viktimë e vetëmburrjes. Por shkaku themelor është përpjekja e vazhdueshme e Serbisë për ta etiketuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një organizatë terroriste. Besoj se kjo nuk do të ndodhë. Nëse parandalohet një vendim gjykate që fajëson UÇK-në, atëherë do të kemi të bëjmë me një gjysëm dështim të përpjekjeve të Beogradit. Por ama gjithkush e di se autoritetet serbe janë sponsorizuesit, hartuesit, skenaristët dhe mbështetësit kryesorë të formimit të kësaj gjykate me duart e vetë të akuzuarve që sot gjenden në Hagë. Ata që ndajnë gjykimin e vendimeve të gjykatës nga shkaku i ngritjes së saj kanë diçka për t’ia fshehur publikut shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *