Heshtja që flet shumë: Pse LDK nuk reagoi pas rrëzimit të zgjedhjes së Rashiqit?
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin votuar për Nenad Rashiçin, nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Rashiç kishte siguruar gjithsej 71 vota për, ndërsa 9 ishin kundër dhe 24 abstenime, kjo pasi nëntë deputetët e Listës Serbe nuk kishin arritur të marrin numrin e votave të mjaftueshme për këtë pozitë.
Përkundër që nuk ushtroi funksionin e nënkryetarit për gjatë, Gjykata Kushtetuese doli me vendim që zgjedhja e Rashiçit nuk ishte në përputhje me kushtetutën pas ankesës së deputetëve të Listës serbe.
Gjykata vendosi me 5 vota për dhe 2 kundër se vendimi i Kuvendit i datës 10 tetor 2025 për zgjedhjen e Nenad Rashiqit nuk është në përputhshmëri me nenin 67 (paragrafi 4) të Kushtetutës dhe nenin 12 të Rregullores së Kuvendit.
Gjykata sqaroi se e drejta për të propozuar nënkryetarin i takon shumicës së deputetëve të komunitetit serb. Në rastin konkret, kjo shumicë kishte ushtruar të drejtën e saj duke propozuar me shkrim 9 kandidatë të ndryshëm, të cilët dështuan të merrnin votat e nevojshme në Kuvend pas tri rundeve votimi për secilin.
Duke marrë parasysh se legjislatura e nëntë e Kuvendit tashmë është shpërndarë më 20 nëntor 2025 dhe janë mbajtur zgjedhjet e reja, Gjykata vendosi që ky aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues në rrethanat e rastit konkret për të ruajtur sigurinë juridike.
“Marrë parasysh ngjarjet e zhvilluara pas parashtrimit të kësaj kërkese në Gjykatë, siç janë reflektuar në paragrafët 52-57, Gjykata, duke u bazuar në parimin e sigurisë juridike, e konsideron të nevojshme që të sqarojë që, ky Aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk
ka efekt prapaveprues”- shkruan në aktgjykim.
Ndaj këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka thënë se vendimi tregon një mungesë të thellë koherence dhe përbën një abuzim me drejtësinë (abus de droit).
Në një reagim zyrtar, LVV-ja thekson se vendimi bie ndesh me jurisprudencën e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese.
“Në aktgjykimin KO265/25, paragrafi 129, Gjykata kishte konstatuar qartë se moslejimi i propozimit të të njëjtit kandidat më shumë se tre herë vlejë edhe për nënkryetarët. Tani, për të njëjtën çështje, Gjykata ka ndryshuar qëndrimin pa asnjë ndryshim normativ apo faktik, duke cenuar parimin e sigurisë juridike, një element kyç i shtetit demokratik,” thuhet në reagimin e VV-së.
Ndryshe, nga Lëvizja Vetëvendosje një gjë të tillë nuk e ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e votuan për, por zgjodhën “heshtjen”, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Pse kjo “heshtje” e LDK-së dhe çfarë mund të fshihet pas saj, kanë folur për “Bota sot”, analistët politikë.
Kujdesi i LDK-së dhe hipokrizia
ImageSkënder ZogajFoto galeri
Analisti Skënder Zogaj, thotë se përgjegjësia është e përbashkët dhe e barabartë te të dyja subjektet.
Por, sipas tij, heshtja e LDK-së përbën hipokrizi politike.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkrahur dhe votuar, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, miratimin e propozimit për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq. Kjo nënkupton se përgjegjësinë për këtë vendim e bartin të dy subjektet politike që e kanë votuar atë, pra LVV dhe LDK. Këtu nuk ka asgjë për t’u diskutuar: veprimi ka qenë i përbashkët dhe, rrjedhimisht, edhe përgjegjësia është e përbashkët dhe plotësisht e barabartë. Sa i përket reagimit të Lëvizjes Vetëvendosje pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vlerësoj se ai nuk ka qenë veprimi i duhur. Megjithatë, heshtja e LDK-së në këtë rast përbën hipokrizi politike”, deklaron Zogaj.
Sipas tij, kjo sjellje e LDK-së përbën një precedent të rrezikshëm, përmes së cilit kjo parti ka dëshmuar se për nevoja thjesht politike është e gatshme të anashkalojë edhe kushtetutën.
“Nëse një vendim është votuar, nuk është as morale dhe as e përgjegjshme të fshihet koka në rërë dhe të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Kjo sjellje e LDK-së përbën një precedent të rrezikshëm të poltronizmit partiak, përmes të cilit kjo parti ka dëshmuar se, për nevoja thjesht politike, është e gatshme të anashkalojë edhe Kushtetutën. Ky është veprimi më i dëmshëm që mund të ndërmarrë një parti serioze, e cila pretendon të jetë forcë qeverisëse në Republikën e Kosovës. Asnjë justifikim nuk e arsyeton udhëheqjen e LDK-së. Nëse ka menduar se përmes një taktizimi me LVV-në do të nxirrte përfitim politik, ka gabuar rëndë. Ky rast nuk ka të bëjë me raporte apo kalkulime partiake, por me standardet juridike të Kushtetutës, të cilat nuk janë “zhol” në lojën politike, por interes themelor shtetëror. Kosova ndodhet në një udhëkryq historik dhe çdo gabim institucional ka pasoja afatgjata. Për pasojat, LDK-ja tradicionalisht ka treguar kujdes dhe ka gëzuar respekt vendor dhe ndërkombëtar. Pikërisht për këtë arsye, sjellja e saj në këtë rast është edhe më zhgënjyese”, deklaron analisti.
Heshtja e LDK-së, mungesa argumentimi dhe beteja juridike
ImageAfrim KasolliFoto galeri
Ndërsa, analisti Afrim Kasolli, duke rikujtuar zgjedhjen e Rashiçit, thotë LDK në rrethana normale ata do të duhej t’i mbronin publikisht pretendimet e tyre juridike.
“Gjatë votimit për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, pro Nenad Rashiqit votuan Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, me sa më kujtohet, abstenoi. Në arsyetimin e tyre para opinionit publik, zyrtarë të LDK-së, përfshirë edhe kryetarin Lumir Abdixhiku, deklaruan se ky votim nuk kishte të bënte me të ashtuquajturin “shantazh patriotik” të Vetëvendosjes, por ishte rezultat i rekomandimeve të ekspertëve juridikë të kësaj partie, sipas të cilëve një votim i tillë nuk ishte antikushtetues.
Ndërkohë, zyrtarë të PDK-së patën deklaruar se, bazuar po ashtu në vlerësimet e ekspertëve juridikë të tyre, votimi pro Nenad Rashiqit kishte telashe procedurale dhe kushtetuese, çka kishte ndikuar në qëndrimin e tyre. Sidoqoftë, që nga kumtimi i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, vetëm Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar politikisht këtë vendim. Ajo që bie në sy është, veçanërisht, heshtja e ekspertëve juridikë të LDK-së, të cilët më herët ishin të bindur se me atë votim nuk po kryhej asnjë shkelje kushtetuese. Në rrethana normale, ata do të duhej t’i mbronin publikisht pretendimet e tyre juridike”, deklaron Kasolli.
Sipas tij, nga LDK së paku duhet të tentonin të argumentonin.
Ai shton se nëse ata nuk janë në gjendje ta zhvillojnë këtë betejë juridike atëherë vetëm sa i konfirmojnë pretendimet se kanë qenë të vetëdijshëm që po votonin në mënyrë antikushtetuese.
“Me këtë nuk nënkuptoj që të zhvillojnë sulme politike, siç po bën partia fituese e zgjedhjeve, por së paku të tentonin të argumentonin se ku, sipas tyre, çalon profesionalisht aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Nëse nuk janë në gjendje ta zhvillojnë këtë betejë juridike – dhe as në këtë rast nuk po them që të mos e zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese – atëherë vetëm sa i konfirmojnë edhe më shumë pretendimet se kanë qenë të vetëdijshëm që po votonin në mënyrë antikushtetuese, por e kanë zgjedhur këtë rrugë si të vetmen mundësi për t’u shmangur nga etiketimet e Lëvizjes Vetëvendosje”, përfundon Kasolli.
