Ballkani në pikë kthese: Kosova, Shqipëria dhe Kroacia testojnë aleancën që mund ta ndryshojë rajonin
Ditë më parë, Delegacione të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë takuar për të diskutuar lidhur me mundësitë e avancimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në kuadër të deklaratës së përbashkët të nënshkruar më 2025.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës, delegacioni ynë u udhëhoq nga drejtori i politikave të mbrojtjes, Faruk Geci, dhe gjatë takimit “u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e deklaratës”.
Edhe Shqipëria dhe Kroacia u përfaqësuan në këtë takim trepalësh me drejtorët e tyre të politikave të mbrojtjes dhe armatimeve.
Sipas deklaratës, janë katër fusha kryesore të bashkëpunimit, që përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Ky pakt i mbrojtjes thotë se të tri shtetet do të bashkëpunojnë për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
“Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës.
Mirëpo, se çka pritet konkretisht në vitin 2026 nga marrëveshja e nënshkruar mes tri shteteve, folën ekspertët e sigurisë.
Hoxha: Standardizim dhe interoperabilitet, me siguri do të ketë përafrim me standardet e NATO-s
ImageHafir HoxhaFoto galeri
Si fillim, ish-ushtaraku, Hafir Hoxha në prononcimin e tij për “Bota sot” tregoi atë se çka mund të përfshijnë aktivitetet e përbashkëta të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e sigurisë.
Përveç kësaj, ai tha se këto stërvitje dhe bashkëpunime do jenë shumë frytdhënëse për Kosovën dhe do kenë një rëndësi të madhe edhe sa i përket synimit tonë për t’u anëtarësuar në NATO.
“Po mendoj se do të ketë aktivitete kryesisht në bashkëpunim operacional dhe trajnime pastaj mund të ketë në stervitje të përbashkëta (sidomos tokësore dhe mbrojtje territoriale), trajnime për oficerë dhe nënoficerë të FSK-së në Kroaci dhe Shqipëri mund të ketë shkëmbim përvojash në doktrinë mbrojtëse që ne në Kosovë ende nuk e kemi të formuar, mund të ketë planifikim operacional dhe mbrojtje civile dhe menaxhim krizash, ku në Shqipëri dhe Kosovë mungojnë këto struktura vepruese.
Këto janë ndikime “të heshtura”, por shumë të rëndësishme mendoj unë. Standardizim dhe interoperabilitet, me siguri do të ketë përafrim me standardet e NATO-s (sidomos për Kosovën), munden të analizohen dhe trajtohen procedura të përbashkëta komunikimi dhe komande pastaj analizë dhe mundësit e integrimit teknik (logjistikë, mirëmbajtje, pajisje).
Kjo normalisht është themeli për çdo hap më të madh në të ardhmen. Këto aktivitete kanë edhe dimension politik–strategjik”, shtjelloi ai.
Gjithashtu, Hoxha potencoi edhe reagimet që mund të ketë Serbia, pasi Kosova vetëm se po e përforcon pozicionin e saj në fushën e sigurisë në rajon dhe si e tillë kjo gjë i pengon shtetit serb.
Megjithatë, ai shpreson që marrëveshja në fjalë të mos mbetet vetëm në letër, port ë punohet shpejt që të vihet edhe në praktikë, përmes projekteve të ndryshme.
“Marrëveshja dhe bashkëpunimi e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës si partner serioz i sigurisë dhe e vendos Kosovën në një bosht Adriatik–Ballkan Perëndimor pro-perëndimor, ky bashkëpunim e rrit peshën e Shqipërisë si faktor stabiliteti rajonal, ku Serbia me siguri xhelozon dhe e vendos, e pozicionon Kroacinë si mentor ushtarak rajonal (rol që e ka ndërtuar prej vitesh).
Normalisht ne mund të presim më tej 2027–2030, që marrëveshja mos të mbetet vetëm deklarative, atëherë projektet të përbashkëta industriale ushtarake (sidomos me Kroacinë) të caktohen qendra të përbashkëta trajnimi, bashkëpunim në sigurinë kibernetike, në strukturat për mbrojtjen civile, reagimin ndaj fatkeqësive natyrore, mundësit që Kosova të përfshihet më shpesh në misione rajonale ose ndërkombëtare me partnerë”.
Në vazhdim, ish-ushtaraku parashikoi edhe atë se si mund të reagoj Serbia, pas bashkëpunimit të Kosovës me Kroacinë e Shqipërinë, ku nuk përjashtoi propaganda dhe kërcënimet për destabilitet.
“Normalisht se pritet reagim nga Serbia.
Serbia mund të bëj reagim politik dhe propagandistik për politik të brendshme, për “militarizim” të Kosovës, retorikë për “kërcënim ndaj stabilitetit”, do të mundohet të aktivizojë diplomacinë serbe drejt Moskës dhe disa qarqeve në BE. Ky është reagim i parashikueshëm, jo realisht rrezik operativ”
Ndër të tjera, Hoxha shtoi se, shteti serb nuk mund t’i bëj asgjë në aspektin ushtarak Kosovës, pasi që prania e NATO-s dhe KFOR-it mbetet faktor frenues absolut
“Presion diplomatik indirekt dhe do të bën përpjekje për ta paraqitur marrëveshjen si “provokim”, mund të perforcon lobimin kundër avancimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Mendoj se nuk pritet realisht ndonjë reagim ushtarak real, e as përplasje direkte, nuk do te ket ndryshim të balancës së sigurisë në terren sepse Serbia e di se çdo eskalim do të kishte kosto të mëdha ndërkombëtare,
Prania e NATO-s dhe KFOR-it mbetet faktor frenues absolut”, përfundoi Hafir Hoxha për “Bota sot”.
Kujtojmë se, Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar në mars të vitit të kaluar u cilësua si “aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë” nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Softa: Viti 2026 do të jetë prova e asaj që marrëveshjet mund të afrojë
ImageFatjon SoftaFoto galeri
E më tej, për këtë temë, foli edhe eksperti i sigurisë nga Shqipëria, Fatjon Softa.
Sipas tij, 2026, pritet të jetë test për marrëveshjet e arritura mes Kosovës-Shqipërisë-Kroacisë, derisa për “Bota sot” tregoi edhe efektet qe do shfaqen në këto drejtime.
“Viti 2026 pritet të jetë testi i parë serioz i këtyre marrëveshjeve, përmes ndryshimeve konkrete në mënyrën se si funksionon arkitektura e sigurisë rajonale. Praktikisht, kjo do të thotë më shumë koordinim operacional, shkëmbim informacioni, trajnime të përbashkëta dhe harmonizim procedurash në menaxhimin e krizave.
Efektet fillestare do të shfaqen në tre drejtime të mundshme:
Koordinim operacional më i mirë mes strukturave të sigurisë (shkëmbim informacioni, procedura të përbashkëta).
Trajnime dhe stërvitje të përbashkëta në nivel taktik dhe strategjik.
Harmonizim doktrinash dhe ligjesh, sidomos në mbrojtjen civile, sigurinë kufitare dhe reagimin ndaj krizave hibride”, u shpreh ai.
Po ashtu, Softa paralajmëroi se duhet durim dhe kohë që marrëveshjet në fushën e sigurisë, të japin efektet e tyre, pasi ato kërkojnë kohë dhe nuk janë të menjëhershme.
“Historia na ka treguar se marrëveshjet e sigurisë nuk japin efekt të menjëhershëm; ato kërkojnë kohë, vullnet dhe kapacitete institucionale për t’u zbatuar. Prandaj, viti 2026 do të jetë viti i rezultateve të para, ku do të shihet nëse palët janë partnerë seriozë apo jo.
Në aspektin rajonal, pritet një zhvendosje e fokusit nga kërcënimet tradicionale drejt atyre hibride, si dezinformimi, ndërhyrjet kibernetike, ndikimi i aktorëve të tretë dhe instrumentalizimi i krizave politike. Këto janë kërcënime që nuk zgjidhen me armë, por me inteligjencë, bashkëpunim dhe institucione funksionale”, nënviozi ai.
Krahas kësaj, eksperti parashikoi edhe reagim të Beogradit, derisa nuk beson që të ketë ndonjë kërcënim real, më shumë sipas tij do jetë një lojë politike.
“Një element për vëmendje dhe analizë të kësaj dinamike është reagimi i Serbisë. Deklaratat e saj kritike, retorike apo shqetësimet për “prishje të ekuilibrave” janë të pritshme dhe duhen lexuar në dy plane. Në planin e brendshëm, ato shërbejnë për konsumin politik dhe ruajtjen e narrativës së sovranitetit. Në planin strategjik, Serbia ka treguar se ndjek një qasje pragmatike, duke shmangur përshkallëzimin real dhe duke investuar më shumë në diplomaci sesa në konfrontim — një shtet që luan me shumë porta për qëllime politike dhe përfitime ekonomike.
Reagimet nuk duhet t’i interpretojmë si kërcënim rajonal apo ndaj shteteve të veçanta. Ato janë pjesë e lojës së perceptimit të sigurisë, ku mesazhi ka po aq peshë sa veprimi.
Më e rëndësishme se marrëveshja është produkti dhe pritshmëria nëse ato do të prodhojnë vërtet siguri për qytetarët dhe mekanizma për të parandaluar dhe zgjidhur kriza.
Viti 2026 do të jetë prova e asaj që marrëveshjet mund të afrojë”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.
